Nga kjo javë të gjithë konsumatorët e qytetit të Fierit janë të pajisur me matësa të energjisë ndërsa OSHEE i ka dhënë fund faturimit aforfe. Ministri i Energjisë dhe Industrisë z.Damian Gjiknuri, shoqëruar nga administratori i OSHEE-së z.Adrian Çela inauguruan përmbylljen e fazës së parë të investimeve për ndërtimin e rrjetit të ri 20 kv në më shumë se gjysmën e qytetit duke ndikuar në përmirësimin e cilësisë së furnizimit për 20 mijë abonentë ose 100 mijë banorë.
Ministri Gjiknuri deklaroi se reforma në sektorin energjetik po jep rezultat, jo vetëm që ka shpëtuar para të vlefshme nga Buxheti i Shtetit por po i kthehen këto para qytetarëve në investime.
“Ky investim do të bëjë që cilësia e energjisë të jetë rritur, qytetarët janë pajisur me matësa e nuk do të ketë faturim aforfe. Këto do të bëjnë të mundur që të konsolidohet rrjeti energjetik shqiptar por mbi të gjitha të ketë stabilitet në tarifat e energjisë madje duke parë dhe mundësitë se si mund të lehtësohen ato gjithmonë e më shumë sidomos për ta bërë biznesin shqiptar kompetitiv dhe për të konsideruar më shumë qëndrueshmërine e sektorit energjetik”, insistoi ministri Gjiknuri.
“Ky investim ka një vlerë prej 370 milion lekë të reja. Janë rehabilituar 38 kabina dhe ndërtuar 11 të reja. Janë shtruar rreth 30 km linjë 20 kv. Deri tani funksiononte sistemi i vjetër 6 kv që ishte prej 40 vitesh. Me këtë investim evitohen maksimalisht defektet dhe koha e riparimit të tyre”, u shpreh kreu i OSHEE-së, Çela.
Sipas tij, që nga muaji i ardhshëm do të fillojë dhe faza e dytë e investimit mbi 400 milion lekë të reja dhe brenda Tetorit jo vetëm qyteti por bashkë me rrethinat do jenë me rrjet të ri 20 kv.
Çela tha në qytet ka përfunduar instalimi i matësave dhe nga muaji i ardhshëm, në drejtorinë rajonale Fier që përfshin, Fier, Ballsh, Patos dhe zonat rurale nuk do lëshohen fatura aforfe.