Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla ka zhvilluar një tryezë diskutimi me gazetarët, ndërsa iu është përgjigjur disa pyetjeve të tyre në lidhje me aktualitetin politik në vend, por jo vetëm.
Duke folur për kthimin mbrapsht të projektbuxhetit të vitit 2022 nga ana e Presidentit Meta pasi sipas tij nuk përmbushte normat sociale, kryeparlamentarja Nikolla u shpreh se këto gjëra tanimë janë kthyer në një normë nga ana e kreut të shtetit, por sipas saj, komisionet përkatëse kanë vullnetin, madje edhe deputetët e opozitës, për ta shqyrtuar dhe diskutuar argumentet e Metës.
Ajo garantoi se do të bëhet një proces i rregullt parlamentar, duke pasur edhe debate në seancën plenare.
Pyetje: Znj. Nikolla si e komentoni veprimin e Presidentit Meta, i cili riktheu për shqyrtim në Kuvend projektligjin për buxhetin e vitit 2022?
“Fatkeqësisht është kthyer në një normë tashmë që Presidenti kthen ligje të rëndësishme. Por, megjithatë komisionet përkatëse kanë vullnetin, madje edhe deputetët e opozitës, për të shqyrtuar të gjitha argumentet e Presidentit, në një proces të rregullt parlamentar. Madje do të kemi edhe një debat për këtë çështje në seancë plenare”, është shprehur në lidhje me këtë pyetje, Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla.
Në argumentet e dhëna nga Presidenti Meta, ai e ka cilësuar këtë buxhet si antisocial dhe ka shpjeguar se sipas tij buxheti nuk parashikon asnjë ndihmë shtesë ekonomikë për ata 258,840 qytetarë që sipas tij jetojnë me 0.7 dollarë në ditë.
Ai e quan buxhetin josuportues edhe për pensionistët në qytet që sipas tij jetojnë me 4.8 dollarë në ditë dhe për ata në fshat që jetojnë me 2.8 dollarë në ditë.
j.l./ dita