Kryetari i Kuvendit Ilir Meta priti sot Ministrin e Shtetit të Mbretërisë së Bashkuar për Evropën David Lidington me të cilin biseduan rreth forcimit të marrëdhënieve dypalëshe dhe ecurisë së reformave në vendin tonë.
Meta vlerësoi marrëdhëniet mes dy vendeve si të shkëlqyera dhe theksoi se Britania e Madhe përfaqëson një partner shumë të rëndësishëm për të ardhmen e Shqipërisë dhe rajonit tonë.
Ai deklaroi vullnetin e plotë për avancimin e axhendës së reformave vendimtare që kërkon vendi dhe qytetarët siç janë reforma administrative territoriale, reforma në drejtësi, si dhe reformat ekonomike e sociale.
Ministri Lidington shprehu angazhimin e Qeverisë Britanike për perspektivën evropiane të Shqipërisë dhe nënvizoi se forcimi i sundimit të ligjit dhe reforma në drejtësi do të jenë kyçe në këtë drejtim.
Lidington vuri në dukje gjithashtu se Mbretëria e Bashkuar mbetet e përkushtuar ndaj Shqipërisë dhe rajonit, dhe në këtë kontekst është e gatshme të zgjerojë mbështetjen e saj në avancimin e reformave prioritare të Shqipërisë.
Kryetari i Kuvendit Meta dhe Ministri i Shtetit Lidington ndanë bindjen e përbashkët se forcimi i dialogut politik dhe gjithëpërfshirja mbeten shumë të rëndësishme për progresin e reformave.