Riçard Branson u shërbeu pasagjerëve të fluturimit Australi – Malajzi i veshur si stjuardesë, pas humbjes së bastit që kishte vendosur me rivalin e tij, pronarin e “Air Asia”, Toni Fernandes. Branson kishte humbur bastin se “Marussia Virgin” do të arrinte rezultate më të mira se “Team Lotus” në Formula 1.
Dorina Gjuzi
Manjati britanik Riçard Nikolas Branson, i njohur edhe si themeluesi dhe pronari i konglomeratit “Virgin Group”, me më shumë se 400 kompani fluturimi në të gjithë botën, i befasoi të gjithë kur u shfaq në avionin e linjës Perth (Australi)-Kuala Lumpur (Malajzi), i trukuar dhe i veshur si një stjuardesë e vërtetë.
Dhe tabloidët britanikë me të drejtë shkruajnë: “Një Riçard Branson të tillë nuk e kishim parë kurrë!” Pas humbjes së një basti të vënë me rivalin e tij në biznes, por edhe mik të ngushtë, Toni Fernandes, titullar i “Air Asia”, Branson duket se e përmbushi detyrimin e tij dhe u paraqit në një nga avionet e Fernandesit gati për fluturim. Mesa duket edhe nga fotot, të qenit nën petkat e një gruaje nuk ishte aspak e sikletshme për të, megjithëse një natë para fluturimit iu desh të hiqte edhe qimet e këmbëve. Fatmirësisht Fernandes e lejoi që të mos rruante mustaqet dhe kështu që Branson u lye me një buzëkuq, madje vendosi edhe qerpikë fals, ndërsa kërkoi nëpër dyqane për një palë këpucë të përshtatshme për këmbën e tij, që t’i shkonin me rrobat e stjuardesës.
Basti i cili u bë sebep që Branson të pushtonte edhe njëherë faqet e gazetave dhe revistave me një ngjarje komike kishte të bënte me garat e Formula 1, ku makina e tij “Marussia Virgin” garonte me atë të Fernandesit që është njëkohësisht edhe pronar i “Lotusit”.
Titullari i “Virgin Group” ishte shumë i bindur se skuadra e tij do të pozicionohej më mirë në stinën e garave në Formula 1 se ajo e Fernandesit. Të ardhurat e udhëtimit do të jepen për bamirësi.