Ministria e Drejtësisë i ka përcjellë homologes së saj greke kërkesën për ekstradim të biznesmenit Arben Frroku, i cili akuzuar për ekzekutimin mafioz të kryekomisar Dritan Lamajt, mbrëmjen e 24 shkurtit 2013. Lajmi konfirmohet nga ministri i Drejtësisë, Eduart Halimi, i cili theksoi për “GSH” se dosja është nisur me korrier diplomatik dhe ka mbërritur në shtetin fqinj. Materiali voluminoz është përkthyer në gjuhën greke sikurse parashikohet në konventat e ratifikuara nga të dyja shtetet. Kërkesa pritet të shqyrtohet nga Gjykata e Selanikut, e cila do të vendosë për ekstradimin ose jo të Frrokut drejt Shqipërisë. Në pamje të parë, duket sikur nuk ka asnjë pengesë, megjithatë duhet pritur verdikti i gjykatës. Burime pranë dikasterit të drejtësisë thanë se bëhet fjalë për një dosje voluminoze, ku krahas vendimit të Gjykatës së Krimeve të Renda, që caktoi masën e sigurisë “arrest me burg” ndaj Frrokut, nën dyshimin për vrasjen e Lamajt, i janë bashkangjitur dhe akte të tjera, përmes të cilave provohet implikimi i biznesmenit në krim. Por sa i përket natyrës së këtyre akteve, burimet u treguan tejet të rezervuara për faktin se dosja është nën hetim dhe çdo informacion i dalë në dritë do të dëmtonte shumë punën e prokurorisë për zbardhjen e krimit të rëndë.