Ministria e Financave ka nisur punën për hartimin e projekt-buxhetit për vitin 2014. Burime nga ky dikaster bëjnë të ditur se edhe pse janë me vonesë në hartimin e tij, puna ka nisur me përcaktimin e prioriteteve për buxhetin e vitit tjetër. Të dhënat se nga ku ka nisur puna për hartimin e tij mbeten ende të pazbardhura, por të njëjta burime flasin se pritet të jetë një draft i hartuar me kujdes ku si kryefjalë do të ketë mbajtjen nën kontroll të borxhit publik. Nga ana tjetër priten përfundimet e auditimit të financave publike nga kompania “Deloitte”, si dhe ardhja e një grupi ekspertësh nga FMN dhe BB për të analizuar situatën financiare në vend. Analiza e tyre pritet të fokusohet jo vetëm te buxheti, por edhe te hartimi i paketës fiskale që do të shoqërojë atë në Kuvend. Ekspertë të këtyre dy institucioneve financiare ndërkombëtare kanë këshilluar prej kohësh qeverinë shqiptare që të të jetë e kujdeshme në menaxhimin e financave publike, por edhe në hartimin e një buxheti sa më realist. Vetëm pak ditë më parë e Kuvendi miratoi një Akt Normativ, që ka fuqinë e ligjit, ku u ndryshuan treguesit fiskalë të buxhetit të këtij vitit. Sipas këtij Akti, të ardhurat, që ishin parashikuar nga qeveria e mëparshme në masën 360.6 miliardë lekë, do të kalojnë në 321.9 miliardë, një ulje që është diktuar nga performanca shumë e dobët e Tatimeve dhe Doganave gjatë 9 muajve të këtij viti. Sa u përket shpenzimeve, pavarësisht nga ulja e ndjeshme e të ardhurave, ato qëndrojnë të pa ndryshuara në 405.4 miliardë lekë. Në këto kushte, sikurse është paralajmëruar gjatë gjithë këtyre ditëve, se deficiti buxhetor thuajse do të dyfishohet, duke kaluar nga afro 48.9 miliardë lekë, që parashikohej në ligjin fillestar të Buxhetit të Shtetit për vitin 2013, në 83.4 miliardë lekë.
“Crown Agents Limited”, kompania ndërkombëtare që do të asistojë doganat shqiptare
Këshilli i Ministrave në mbledhjen e tij të fundit miratoi marrëveshjen e nënshkruar me këtë kompani. “Croën Agents Limited” do të japë shërbim asistence për përmirësimin e performancës, rritjen e të ardhurave dhe zvogëlimin e korrupsionit në administratën doganore. Sipas zyrtarëve, edhe pse aktualisht në vend funksionojnë kompani konsulence, ato nuk kanë kapacitetet dhe eksperiencën e duhur profesionale për të realizuar një proces të tillë. “Deloitte” dhe “Croën Agent Limited” do të jenë dy kompanitë ndërkombëtare që do të asistojnë qeverinë për realizimin e auditimin e borxheve që shteti u ka kompanive, të cilat kanë kryer punë publike, si dhe për shërbimin e asistencës në fushën e doganave.
9-mujori, sigurimet bien në 9.3%
Të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit për periudhën janar-shtator 2013 arritën rreth 5,917 milionë lekë, ose 9.28% më pak se në të njëjtën periudhë të vitit 2012. Gjatë periudhës janar-shtator 2013, numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 757,328 me një ulje prej 3.05% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Tregu vazhdoi të mbetet sërish i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës, të cilat sollën rreth 87.76% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, duke i lënë sigurimet e Jetës me rreth 11.78% dhe veprimtarinë e Risigurimit me rreth 0.45%. Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit, i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 54.16% dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 45.84% të totalit të tregut. Gjatë periudhës janar-shtator të vitit 2013, dëmet e paguara bruto në tregun e sigurimeve, arritën në rreth 2,059 milionë lekë, ose 2.94% më pak se e njëjta periudhë e vitit 2012. Primet e sigurimit të detyrueshëm motorik, në periudhën janar-shtator 2013 arritën rreth 2,700 milionë lekë, ose rreth 17.31% më pak se e njëjta periudhë e vitit 2012. Produkti MTPL e brendshme, në periudhën janar-shtator 2013, pati ulje prej 21.30% të volumit të primeve të shkruara bruto, ndërsa numri i kontratave pati një rritje prej 24.86% krahasuar me periudhën janar-shtator 2012. Produkti Sigurim Kufitar, në periudhën janar-shtator 2013 pati një ulje prej 28.46% të volumit të primeve të shkruara bruto, e shoqëruar edhe me ulje të numrit të kontratave me 12.38% krahasuar me periudhën janar-shtator 2012. Produkti Karton Jeshil, në periudhën janar-shtator 2013 pati rritje me 12.10% të volumit të primeve të shkruara bruto, krahasuar me periudhën janar-shtator 2012. Gjithashtu edhe numri i kontratave u rrit me 7.43%. Primet e sigurimit vullnetar, në periudhën janar-shtator 2013 arritën rreth 3,190 milionë lekë, ose 1.93% më pak se në periudhën janar-shtator 2012. Kjo u shoqërua me ulje të numrit të kontratave të sigurimit vullnetar me 15.95% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Sigurimet vullnetare të Jo-Jetës, gjatë periudhës janar-shtator 2013, patën ulje me rreth 5.05% kundrejt të njëjtës periudhë të vitit 2012. Në portofolet e pronës, përgjegjësive, garancive të cilat gjatë periudhës janar-shtator 2013, siguruan rreth 1,535 milionë lekë të ardhura në total, vendin e parë e zunë zjarri dhe dëmtime të tjera në pronë, me rreth 75.30% të pasuara nga sigurimi i përgjegjësive të përgjithshme civile me rreth 15.50% të totalit. Në portofolin sigurimi nga zjarri dhe forcat e natyrës, gjatë periudhës janar-shtator 2013, ndihet një ulje prej 0.03% e volumit të primeve të shkruara bruto të këtij portofoli dhe një rritje me rreth 11.05% e numrit të kontratave të sigurimit, krahasuar me periudhën janar-shtator 2012. Të ardhurat nga sigurimet e aksidenteve dhe shëndetit, gjatë periudhës janar-shtator 2013, arritën në mbi 514 milionë lekë, duke shënuar rritje prej 5.21% në krahasim me periudhën janar-shtator 2012. Primet nga sigurimet e Jetës gjatë periudhës janar-shtator 2013, arritën rreth 697 milionë lekë, ose rreth 11.15% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Pagesat e dëmeve gjatë periudhës janar-shtator 2013 u ulën me rreth 2.94% krahasuar me periudhën janar-shtator 2012. Pjesa më e madhe e dëmeve të paguara bruto i përket sigurimit motorik me rreth 1,759 milionë lekë, apo 85.43% të totalit të dëmeve të paguara bruto.