Meha, Çani e Basha, me tre gola të bukur, konkretizuan me shifra një lojë të shkëlqyer të Shqipërisë në pjesën e parë të ndeshjes së mbrëmshme kundër Lituanisë. E kthyer në Tiranë pas suksesit të bujshëm në Oslo, skuadra kuqezi nuk e prishi festën me ndonjë rezultat të papritur në miqësoren e djeshme, por përkundrazi, luajti për ta arritur atë me çdo kusht. Xhani De Biazi kishte bërë disa ndryshime krahasuar me formacionin që luajti në Norvegji dhe ishin pikërisht hyrjet e reja ata që bënë diferencën, duke dashur ta vënë në vështirësi italianin për takimet e ardhshme. Në krahun e majtë të mesfushës, në vend të Odise Roshit, debutoi i shumëprituri Valdet Rama, ndërsa në të djathtë të repartit, në vend të Andi Lilës (i tërhequr në mbrojtje dje), luajti Alban Meha. Dy zëvendësues potencialë në mesfushë për të pezulluarit Roshi e Lila, të cilët e bënë më së miri punën e tyre. Në mbrojtje, pritej të luante Debatik Curri, por De Biazi preferoi Tefik Osmanin përkrah Mërgim Mavrajt. Terreni mizerabël i stadiumit “Qemal Stafa” ia vështirësoi lojën me topin skuadrës, megjithatë ajo bëri futboll sulmues që nga fillimi. Ishte pikërisht Osmani që mund të kishte shënuar me një goditje me kokë, por topi u ndalua nga traversa. Epërsia e kuqezinjve erdhi pas një goditjeje të lirë fantastike nga Alban Meha, specialist i tyre. Topi i goditur nga rreth 40 metra tundi rrjetën, duke i dhuruar golin e parë kuqezi mesfushorit të Paderbornit. Pesë minuta më pas ishte Edgar Çani që ndëshkoi portierin mik, pas topit të marrë saktë nga Basha, në një aksion model në qendër. I treti ishte i ngjashëm nga vertikalizimi, këtë herë nga Agolli për Bashën, që gjithashtu shënoi golin e parë kuqezi. Epërsia e tre golave e ktheu në formalitet pjesën e dytë, ku diferenca u rrit me autogolin e Palionis, pas topit të fortë të Agollit, i adresuar te Bogdani. Miqtë shënuan golin e nderit 15 minuta para fundit, pa pasur fuqi të bënin më tepër në një mbrëmje të dominuar plotësisht nga Shqipëria. E ndërsa kundërshtari i djeshëm nuk mund të krahasohet kurrë me Norvegjinë e 7 qershorit, përsëri paraqitja e kuqezinjve lë vend për optimizëm. Nuk dihet ende se si do të zëvendësohet Lorik Cana në qendër të mbrojtjes, por për dy mungesat e tjera duket se De Biazi nuk do të ketë dhimbje koke, pasi Rama e Meha ishin në nivelin e kërkuar. Po ashtu, Migjen Basha u rikonfirmua, me një tjetër paraqitje plot siguri. Ajo çka mbetet tani është vetëm të shpresohet që në takimin e qershorit të shkohet pa minuse të tjera në organikë.
Shqipëri 4
Lituani 1
Shënues: Meha 33’, Çani 38’, Basha 43’, Palionis 59’ (a) / Palionis 75’
Shqipëria: Berisha (Ujkani 24’), Lila (Hysa 78’), Mavraj, Osmani, Agolli (Veliu 84’), Meha (Hyka 76’), Basha, Lilaj (Vila 81’, Rama (Vajushi 64’), Çani (Sadiku 64’), Bogdani (Cana 71’). Trajner: De Biazi
Lituania: Setkus (Zubas 62′), Andriuskevicius (Mikoliunas 86′), Palionis, Freidgeimas, D. Cesnauskis; E. Cesnauskis, Bartkus (Martynas 74′), Pilibaitis, Cernychas (Evaldas 46′), Novikovas (Kalonas 65′), Matulevicius. Trajner: K. Laszlo
Gjyqtarë: I. Stojanov (Bullgari)
Kartonë të verdhë: Agolli, Vajushi, Lilaj / Bartkus, Matulevicius, Palionis, Novikovas, Freidgeimas
Xhani De Biazi: Reagimi i duhur nga skuadra
I druhesha ndonjë goditjeje nga euforia, për shkak të fitores në Norvegji, por nuk ndodhi. Skuadra u përgjigj mirë, luajti me seriozitet, e impenjuar dhe me uri për të fituar, ndonëse kjo ishte vetëm një miqësore. Kjo ishte ajo çka më pëlqeu përtej rezultatit, është pikërisht kjo rruga e duhur. Mora sinjale të qartë nga lojtarët dhe shpresoj që të gjithë ata të jenë në formën e duhur fizike dhe mendore kur të vijë ndeshja me Norvegjinë, e cila është jashtëzakonisht e rëndësishme. Dihet që për atë takim do të kemi tri mungesa, në role të rëndësishëm, kështu që tani uroj që mos të na ndodhin probleme të tjera me dëmtimet. Çdo trajner i do të gjithë lojtarët, aq më tepër kur bëhet fjalë për ata të tre që ishin ndër më të mirët në Norvegji. Duhen evituar kartonët e kotë, si ai që mori Roshi me Slloveninë, duke hequr fanellën pas golit. Tani mund të them se e kam idenë për krahët e skuadrës për ndeshjen e kthimit. Për sa i përket Valdet Ramës, e kisha parë në disa filmime, e kam ndjekur gjatë. Zhvilloi një ndeshje të mirë, por shpresoj të luajë rregullisht në kampionatin spanjoll, për të pasur kondicionin e duhur fizik. Goli i Mehës shumë i bukur, me goditjen fantastike nga distanca, e duartrokitën të gjithë. Besoj është ndër golat më të bukur nën drejtimin tim
Migjen Basha
Ka qenë një fitore shumë e bukur, sepse i gjithë ekipi luajti shumë mirë, sidomos në pjesën e parë. E prisja të shënoja, mund të kisha shënuar që në Oslo, por nuk munda. Jam i lumtur për zgjedhjen që kam bërë dhe në të ardhmen shpresoj të kënaqem më tepër, me një vend në play-off, madje edhe me të parin në grup. Nëse fitojmë me Norvegjinë këtu kemi shumë shanse për këtë. Kam shumë besim te kjo skuadër dhe shpresoj të bëjmë gjëra të bukur së bashku. Pas golit festova me shenjën e shqiponjës, sepse jam shqiptar. Ia dedikoj vetes sime dhe kombëtares.
Andi Lila
Ne kemi ekip shumë të mirë, loja që zhvilluam në Oslo u pasqyrua edhe sot. E gjithë skuadra e vlerësoi maksimalisht, pa kaluar në eufori. Jemi në rrugën e duhur dhe shpresoj të vazhdojmë kështu edhe ndeshje t tjera, sepse gëzojmë formë, të cilën do arrijmë ta ruajmë edhe pas dy muajsh. Futbollistët janë të rëndësishëm në skuadrat e tyre, janë në aktivitet, kështu që besoj se forma do të ruhet.
Valdet Rama
Ndihem shumë mirë me këtë debutim, i cili erdhi me fitore. Doja të shënoja gol, sepse unë jam lojtar sulmi, por s’ka problem, shënuam katër. Bëmë lojë shumë të mirë dhe kemi dëshirë të arrijmë sa më larg me këtë skuadër. Pa dyshim që do të japim maksimumin, do të përgatitemi sa më mirë që ta fitojmë ndeshjen me Norvegjinë.