Pas shtatë orësh në det, më në fund trageti me 200 pasagjerë në bord është akoruar në port. Ankorimi u bë pas rënies së intensitetit të erës, duke bërë që të marrin frymë të lehtësuar 200 persona, mes të cilëve gra, fëmijë dhe të moshuar, të cilët që prej orës 07:00 të mëngjesit kanë qenë në det të hapur.
Që prej mëngjesit të sotëm qyteti i Vlorës është gdhirë nën një stuhi të vërtetë, pasi erërat e forta që fryjnë kapin shpejtësinë 25 deri në 30 metra për sekondë. Moti i keq ka sjellë probleme të mëdha jo vetëm në qytet, por edh në portin e Vlorës, ku anijet e pakta që kanë qenë të ankoruara në kalatat e portit janë detyruar të dalin në gjirin e Vlorës, ndërkohë asnjë peshkarexhë nuk është lejuar nga polica kufitare e kapiteneria e Vlorës për të dalë në det, për shkak të detit me dallgë të forta, të cilat kapin nga 7 deri në 10 ballë në det të hapur. Trafiku detar është pezulluar i gjithi dhe vijon të jetë i bllokuar që prej mëngjesit.
Trageti
Trageti i linjës Brindisi-Vlorë, i cili është nisur nga porti i Brindisit nga ora 12 e natës ka mbërritur në portin e Vlorës rreth orës 07:00, por nuk ka mundur dot të ankorohet për shkak të intensitetit të madh të dallgëve. Trageti i linjës Brindisi-Vlorë ka bërë rreth tri tentativa për të mundësuar ankorimin në kalatën zero të portit të Vlorës, por pa mundur dot të kryejë ankorimin, duke u përplasur me kalatën. Në pamundësi për t’u ankoruar, ka dalë në det në gjirin e Vlorës në pritje të rënies së dallgëve të detit për të bërë të mundur më pas ankorimin. Në tragetin e linjës Brindisi-Vlorë janë mbi 228 pasagjerë, rreth 12 kamiona e mbi 40 makina të vogla. Kjo situatë ka bërë që pasagjerët shpesh herë t’i drejtohen komandantit të tragetit për të mundësuar ankorimin e tragetit për të bërë të mundur zbritjen e pasagjerëve. Ndërkohë që sipas specialistëve të detit, peshkatarëve kjo situatë e ky det me intensitet të madh të dallgëve nuk është parë në gjirin e në detin e Vlorës prej të paktën 30 vjetësh.