Chelsea i Jose Mourinhos gjen PSG-në e Blanc dhe Zlatan Ibrahimoviç në rrugën e saj në Champions League. Dhe i vetëquajturi Special One, tashmë me statusin e analistit për Yahoo Sports, flet për sulmuesin suedez, që është forca kryesore në sulmin e parizienëve dhe të cilin e ka drejtuar më parë kur ishte trajner i Interit. “Ishim bashkë për një vit dhe ishte një eksperiencë e bukur. Është një nga futbollistët më të mirë që kam drejtuar në karrierën time. Do të kishte qenë diçka e bukur ta shihnim në Botëror, por Suedia nuk u kualifikua”, thotë portugezi. Ndryshe nga shumë trajnerë të tjerë, si Pep Guardiola për shembull, Mourinho thotë se kurrë nuk ka pasur probleme që kanë të bëjnë me karakterin e Zlatan, i cili njihet për temperamentin e tij të veçantë. “Nuk jam dakord me ata që thonë se është e vështirë të punosh me futbollistë që kanë personalitet të fortë, për mua është e vështirë të punoj me ata që nuk kanë dëshirë për t’u përmirësuar. Kur drejtoj një fitimtar, një futbollist që do të fitojë gjithmonë, që do të kryesojë dhe që nuk ka frikë të marrë përgjegjësitë e tij, atëherë për mua është gjithçka më e lehtë”, shpjegon tekniku, që do përballet javën tjetër me ish-lojtarin në Champions.