Ministria e Jashtme shqiptare njofton shtetasit në lidhje me zonat që paraqesin rrezikshmëri për shkak të zhvillimeve të brendshme. Njoftimi vjen pasi disa ditë më parë, tre shqiptarë u ndaluan nga autoritetet vendase në portin e Al Mukalla, në Jemen. Ministria e Jashtme shqiptare njofton në faqen e saj zyrtare se “Niveli i kërcënimit terrorist është i ndryshëm nga vendi në vend. Ka vende dhe rajone, ku organizatat terroriste janë aktive dhe terroristët kanë mbështetjen e popullatës lokale, ose për shkak të mungesës së masave të sigurisë efektive, aktet terroriste ose rrëmbimet, mund të kryhet relativisht lehtë”.
Ministria e Jashtme informon se janë 8 shtetet drejt të cilave nuk mund të udhëtosh i sigurt: Jemeni, Republika e Kongos, Afganistan, Libi, Nigeri, Mali, Somali dhe Algjeri.
“MPJ fuqimisht rekomandon që qytetarët duhet të informohen me kujdes më përpara, për kushtet e destinacionit. Informacioni i MPJ-së, përmban: këshilla udhëtimi, informacion mjekësor, etj. Informacionet janë rishikuar dhe përditësuar rregullisht dhe është informacion i besueshëm.
MPJ këshillon qytetarët e vet që të marrin në konsideratë informacionet, paralajmërimet rekomandimet, që gjenden në faqen e MPJ-së, ndërsa sjell në vëmendje se vendimi përfundimtar mbi fillimin e një udhëtimi është përgjegjësi e vetë udhëtarit”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Ndërkohë, në lidhje me tre shqiptarët e arrestuar në Jemen nuk ka ende asnjë informacion.