Për shkak të krizës ekonomike në Europë dhe frenimit të rritjes në Kinë , Indi, Brazil, etj., një fuçi naftë në tregjet ndërkombëtare po shitet këto ditë 96 dollarë . Në pak javë ka ndodhur një ulje e çmimit ndërkombëtar të arit të zi me 32 përqind për fuçi. Ndërsa në tregun tonë një litër naftë shitet me 1.850 lekë te vjetra litri, njësoj sikur çmimi në tregjet ndërkombëtare të ishte 160 dollarë për fuçi. Tani, kur e gjithë Europa dhe konsumatorët e saj po përfitojnë nga çmimet e ulta, në Shqipëri tregu është tërësisht i pandjeshëm. Asnjë lëvizje nga qeveria, nga strukturat e saj të mbrojtjes së konsumatorit, nga edhe vetë Autoriteti i Konkurrencës.
Në dy muajt e fundit të rënies drastike të çmimit ndërkombëtar të naftës, në tregun tonë rënia e çmimit nuk është më shumë se 5 për qind, në një kohë që në tregjet ndërkombëtare në dy muaj çmimet janë ulur më shumë se 6 herë sa kjo ulje tek ne. Po të kishte ndodhur e kundërta, rritja e çmimit, brenda dy ditëve ajo do të pasqyrohej edhe tek ne, me një rritje edhe më të madhe nga ajo ndërkombëtare. Po ndodh një vjedhje e madhe, e pacipë, masive në kurriz të gjithë konsumatorëve të karburanteve, që praktikisht janë 4 në çdo 5 shqiptarë. Rënia e çmimit ndërkombëtar po vijon përditë. Tregtarët e karburanteve në vendin tonë thonë se në Shqipëri ulja e madhe po frenohet nga shtrenjtimi i dollarit. Pasi sipas tyre, nafta shitet në këtë valutë.
Kjo nuk është aspak e vërtetë, pse grosistët shqiptarë furnizohen nga vendet e euros dhe nuk mund të justifikohen nga vlera e këmbimit të dollarit. Në të gjitha vendet e botës çmimi i naftës ka nisur të pakësohet në përputhje me rënien e fortë të saj në tregjet ndërkombëtare. Në Itali nafta është ulur 30 përqind, në Francë po ashtu, në Gjermani 32 përqind. Edhe në Maqedoni dhe Mal të Zi nafta është ulur me rreth 30 përqind. Vetëm tek ne tregu i ka veshët e shurdhër dhe sytë qorr. Operatorët e tij(tregtarët me shumicë e pakicë të karburanteve) të nxjerrin me qindra qarje e justifikime për ditët e sotme, po t’i pyesësh. Akcizë e lartë, kosto transporti, etj. Por asnjë prej tyre nuk është në gjendje të përgjigjet se përse kur depozitat e naftës janë 2-3 javore, pas dy muajsh çmimi i naftës në tregun tonë nuk ulet me ritmin e sasisë së re të importuar. Kjo dëshmon se tregu i naftës në Shqipëri ka trajtën e një karteli. Çmimi i sotëm i naftës është rrjedhojë e një marrëveshje të fshehtë midis firmave oligopoliste që kontrollojnë tregun. Ato lehtësohen nga një kontroll sipërfaqësor i organizmave tanë fiskalë, si dhe shumë fije të qeverisjes të lidhura me interesat e bosëve të shumicës në tregtinë e karburantit .
Rezultati është një abuzim e vjedhje masive ndaj mbi 400 mijë pronarëve të automjeteve në Shqipëri. Me një shifër të frikshme parash. Kështu, nëse abuzimi llogaritet katërqind lekë të vjetra për litër në ditë-23 përqind mosulje e çmimit nga vjedhja- dhe marrim një mesatare prej pesë litrash në ditë që konsumon dhe blen mesatarisht çdo shqiptar (ose 2 milionë litra në nivel vendi), atëherë vjedhja është tetëqind milionë lekë të vjetra në ditë. Ose rreth 640 mijë euro në ditë. Që bëjnë 19 milionë euro në muaj! Kjo përbën humbje të pastër të parave të qytetarëve të këtij vendi, ose vjedhje në dritë të diellit nga ana e kartelit. Kjo vjedhje/ lojë është e vjetër dhe vijon me qetësi e siguri të kryhet sa herë ulet ndjeshëm nafta në tregjet ndërkombëtare. Askush nuk e ndalon këtë lojë.
Qeveria jonë është e zënë me zgjedhjet. Zyrtarët e lartë të saj me frikësimin e nëpunësve të shtetit se do t’i pushojnë nga puna, nëse nuk marrin pjesë në tubime e takime zgjedhore. Qeveria bën indiferenten dhe spektatoren në këtë vjedhje masive. Mediat e pablera nga euronafta mund të ndihmojnë me denoncimet e tyre. Ndoshta dhe qeveria jonë zgjohet dhe përqëndrohet në mbrojtjen e konsumatorit një ditë. Por kur? Para, apo pas 23 qershorit?
Ne shqiperi ta shesin naften bashke me kete bjonden rrezik 🙂 ndaj eshte kaq shtrenjt 🙂