Kuvendi ka miratuar me votat e maxhorancës ndarjen e mandateve sipas formulës së aplikuar në zgjedhjet parlamentare të vitit 2009. Shpërndarja e mandateve u miratua me 72 vota pro, 63 kundër dhe 1 abstenim.
Seanca e sotme në Kuvend është shoqëruar me debate mes opozitës dhe maxhorancës në lidhje me ndarjen e mandateve të deputetëve për zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit. Ashtu siç pritej, demokratët kërkuan ndarjen e mandateve njësoj si ajo e bërë në vitin 2009, ndërsa opozita e kundërshtoi këtë veprim, me argumentin se Kuvendi nuk mund të marrë kompetencat e KQZ-së.
Një javë më parë, projektligji kaloi në Komisionin e Ligjeve vetëm më votat e maxhorancës, duke i dhënë Kuvendit të drejtën për ta hedhur për votim.
Gjatë fjalës në seancën e sotme, deputeti demokrat, Edi Paloka, bëri fajtorë për mosmiratimit në KQZ anëtarët e majtë të këtij komisioni.
“KQZ ezauroi plotësisht rrugën e tij administrative për të vendosur numrin e mandateve të zonave zgjedhore. Në përfundim te procedurës, parashikuar në kodin zgjedhor, KQZ nuk mundi të miratonte këtë çështje. Njollosja e procesit ka përgjegjës tre anëtarët e KQZ të propozuar nga opozita. Kuvendi ka kompetencën e plotë ligjore për caktimin e mandateve të deputetëve për zgjedhjet. Kjo nuk është vetëm e drejtë, por detyrim i kuvendit i vendosur në kodin zgjedhor. Kuvendi nuk mund të lejojë futjen e procesit në kolaps. Kuvendi ka detyrimin ndaj shqiptarëve dhe detyrimin sipas ligjit të bëjë caktimin e mandateve për çdo zonë zgjedhore. Kuvendi nuk mund të marrë dhe as të zëvendësojë rolin e KQZ, për pasojë rruga e vetme mbetet caktimi i mandateve të bërë nga Kuvendi në vitin 2009”, u shpreh Paloka.
Ndërsa deputeti socialist, Damian Gjiknuri, u shpreh se me ndarjen e mandateve, Kuvendi po bën një krim të dyfishtë.
“Tentativa për të ndarë në mënyrë të dhunshme mandatet është një krim i dyfishtë. Kuvendi do të uzurpojë në mënyrë të paligjshme pushtetin, duke ndarë mandatet në kundërshtim me të drejtën e votës”, tha Gjiknuri ndërsa shtoi se “Po krijohen mutacione juridike, pasi kërkohet me çdo kusht kërkohet ndarja e njëanshme e mandateve”, tha ai.
Gjiknuri u ndal në problemin e votuesve të qarkut Kukës, ku opozita ngul këmbë se rritje artificiale të numrit të votuesve. “Njerëz që banojnë në Kamëz e Laprakë me urdhëresë të Ministrisë së Brendshme janë vendosur në 4 komunat e Kukësit, që aty të rritej artificialisht numri i banorëve”, tha ai. Në fund, Gjiknuri theksoi se pavarësisht strategjisë që po ndjek maxhoranca për mandatet, nuk do të arrijë të marrë dot votën e popullit.
“Edhe sikur kështu të rrinë mandatet, edhe pa konsensus të jeni të bindur që nuk e merrni dot votën e popullit”, theksoi Gjiknuri.