“Avokatët e Lukashenkos mund të ofrojnë argumenta juridike të stërholluara, për të na mbushur mendjen se zgjedhjet në Bjellorusi ishin të lira e të ndershme, por ne e dimë shumë mirë se ato nuk ishin të tilla.”
Këto fjalë nuk i ka thënë Andrea Stefani, i cili shpesh e krahason qeverisjen e Berishës me regjimin e Lukashenkos – i ka thënë në fund të nëntorit ambasadori Arvizu, në një intervistë trio me ish-ambasadorët Ryerson dhe Withers në emisionin “Tonight me Ilva Taren”. Dhe të thëna nga ambasadori amerikan, këto fjalë janë shumë më peshërënda se sa të thëna nga Stefani. Sepse ky i fundit, tek e fundit, përfaqëson vetëm vetveten. Ndërsa ambasadori Arvizu përfaqëson fuqinë më të madhe në botë dhe aleatin më strategjik të shqiptarëve.
Sjellja e shembullit të Lukashenkos nga ambasadori amerikan, në një forum kaq publik, në prag të fillimit të punës së KQZ-së, nuk mund të ketë qenë e rastit. Dihet izolimi që iu bë regjimit të Lukashenkos nga Uashingtoni dhe Brukseli, pas zgjedhjeve bjelloruse, që vetëm të lira e të ndershme nuk ishin.
Por veprimet e fundit të KQZ-së dhe Komisionit të Ligjeve të Kuvendit në lidhje me ndarjen e mandateve parlamentarë sipas qarqeve, lënë të kuptohet se përfaqsuesit e Berishës në to nuk i kanë dëgjuar mirë fjalët e ambasadorit amerikan. Gjithashtu, duket se ata nuk e kanë lexuar raportin vjetor mbi praktikat e të drejtave të njeriut në vende të ndryshme të botës, që Sekretarja e Shtetit Klinton i paraqiti vjet Kongresit të SHBA-së, në përmbledhjen ekzekutive të të cilit thuhet për Shqipërinë se “një ambjent i polarizuar zgjedhor, i karakterizuar nga incidente manipulimi dhe një numërim i kundërshtueshëm votash, minuan të drejtën e qytetarëve për të ndryshuar qeverinë e tyre në mënyrë të lirë”.
Përdorimi i argumenteve procedurialë nga përfaqësuesit e Berishës në KQZ dhe në Komisionin e Ligjeve të Kuvendit, për të justifikuar ndarjen e mandateve parlamentarë nëpër qarqe sipas popullsisë së 2009-ës, e jo sipas asaj të 2013-ës, është një shembull i qartë i metodave lukashenkiane të inxhinierimit të rezultateve në tavolinë.
Heqja e një mandati në Korçë e një në Berat dhe kalimi i tyre në Tiranë e Durrës (siç demografia aktuale zyrtare e dikton) i heq PD-së të paktën dy mandate, pa filluar gara. Dhe kjo gjë patjetër që nuk i pëlqen Berishës. Dhe cila është zgjidhja e tij? Udhëzon përfaqësuesit e vet që të rikthejnë ndarjen sipas demografisë së 2009-ës dhe nxit avokatët e tij në media që të argumentojnë se nuk është mirë të pakësohen mandate në qarqe që kanë zona të mëdha malore në territorin e tyre…
Deri më sot, ambasadori amerikan dhe ambasadorët e tjerë europianë nuk janë prononcuar në lidhje me këtë inxhinieri lukashenkiane që po zbaton Berisha në ndarjen e mandateve. Por në prapaskenë, pa dyshim, ata duhet të jenë duke bërë përpjekje që të gjejnë një zgjidhje të ndryshme nga ajo e Berishës.
Mbetet të shihet se çdo të ndodhë deri në 7 mars, kur skadon afati për ndarjen e mandateve. Dhe më e rëndësishme është të shohim se çdo të ndodhë pas 23 qershorit, në qoftë se Berisha vazhdon të ndjekë me vendosmëri rrugën e Lukashenkos…