Përcaktohet lista e llojeve të testeve që do të plotësohen nga maturantët e të gjitha shkollave të mesme në sezonin e provimeve të Maturës Shtetërore 2022.
Për çdo profil shkollor është detajuar lista e lëndëve që do të jepen si provime të detyruara, si dhe ajo për testin me zgjedhje. Ndarjen e plotë të llojit të testeve që do të plotësojnë maturantët e shkollave të mesme të përgjithshme, atyre të shkollave profesionale, seksioneve dygjuhëshe e gjeni të detajuar në tabelat në vijim të shkrimit.
Katër janë provimet zyrtare që do të zhvillohen në maturën e vitit që vjen, ku bëhet fjalë për tre provimet e detyruara në lëndën e gjuhës shqipe dhe letërsisë, matematikës dhe gjuhës së huaj, si dhe provimi me zgjedhje i përcaktuar nga lista zyrtare e lëndëve të miratuara nga MASR për çdo profil të shkollës së mesme.
Duke u ndalur tek gjuha e huaj, autoritetet e Qendrës së Shërbimeve të Arsimit sqarojnë se si provim të detyruar të gjuhës së huaj në Maturën Shtetërore 2022, maturantët do të zhvillojnë lëndën përkatëse që kanë zhvilluar përgjatë tre viteve të shkollës së mesme (anglisht, italisht, gjermanisht, frëngjisht, spanjisht, rusisht apo turqisht). Testi i gjuhës së huaj që do të jepet si provim i detyruar (D3) do të hartohet në përputhje me gjuhën, e cila në planin mësimor të arsimit të mesëm të lartë (gjimnazit) trajtohet si gjuhë e huaj e parë. Testi i provimit do të jetë në nivelin gjuhësor që përcaktohet në kurrikul në përfundim të studimeve të shkollës së mesme që maturanti kryen. Lënda që do të jepet si provim i detyruar i gjuhës së huaj përzgjidhet gjatë plotësimit të formularit A1 dhe A1Z.
Aktualisht ka përfunduar procesi i aplikimit nëpërmjet plotësimit të formularit A1 për të gjithë maturantët që përfundojnë këtë vit studimet e shkollës së mesme. Ndërkohë që duke nisur nga dita e sotme, e deri të enjten të datës 16 dhjetor do të vijojë aplikimi me formularin A1Z për maturantët që e kanë mbaruar shkollën e mesme para ralizimit të Maturës Shtetërore 2022, por që duan të rikthehen në garë për pranimet në universitete përgjatë vitit të ardhshëm akademik. Konkretisht, në udhëzimin e miratuar nga Ministria e Arsimit Sportit dhe Rinisë dhe QSHA për periudhën e aplikimeve, saktësohet për të shmangur mbingarkesën e rrjetit, të parët që do të fillojnë me plotësimin e formularit A1Z në datën 13 dhjetor janë maturantët e vjetër të të gjitha shkollave që mbulon Drejtoria Rajonale e Arsimit Parauniversitar Durrës, për të vijuar në datën 14 dhjetor me maturantët e të gjitha shkollave që mbulon Drejtoria Rajonale e Arsimit Parauniversitar Fier. Më tej në datën 15 dhjetor plotësimi do të vijojë me maturantët e Drejtorisë Rajonale të Arsimit Parauniversitar të Korçës, për të përfunduar në datën 16 dhjetor me maturantët e Drejtorisë Rajonale të Arsimit Parauniversitar të Lezhë.
Formularin A1Z kanë të drejtë që ta plotësojnë tre kategori maturantësh. Konkretisht, këtë formular mund ta plotësojnë kandidatët që kanë përfunduar shkollën e mesme para vitit 2021 dhe që kanë detyrim për të dhënë një, ose disa provime të maturës gjatë vitit të ardhëshëm. Gjithashtu me këtë formular mund të aplikojnë edhe kandidatët që kanë kryer arsimin e mesëm jashtë vendit, të cilët pasi kanë bërë njehsimin e diplomës në komisionin përkatës të QSHA-së dhe rezulton se kanë detyrimin për të dhënë një, ose disa provime të Maturës 2022. Ndërsa kategoria e tretë janë kandidatët që kanë përfunduar shkollën e mesme në Shqipëri, ose jashtë vendit, që nuk kanë detyrim për të dhënë provime të Maturës 2022, por që dëshirojnë të vazhdojnë studimet në universitetet publike, apo ato private përgjatë vitit të ri akademik 2022-2023.
Edhe për maturën e vitit të ardhëshëm do të vlejnë po të njëjtat rregulla për zhvillimin e testeve, çka do të thotë se maturanti do të përjashtohet nga provimi kur konstatohet se: “Ndryshon vendin që i është caktuar, merr, jep informacion apo kopje, ose komunikon me maturantë të tjerë, kur bën komente për përmbajtjen ose zgjidhjen e testit, kur mban telefon celular, radio ose çdo mjet tjetër komunikimi në mjedisin e provimit, si dhe kur refuzon kontrollin nga ana e administratorëve gjate hyrjes në qendrën e provimit”.
Po sipas rregullores, maturantit nuk i njihet rezultati nëse përdor laps, stilolapsa me ngjyra jo si atë të përcaktuar në rregulloren e provimit, nëse ka hequr ose dëmtuar kodin e sekretimit të testit (barkodin), nëse ka dëmtuar testin (palosur, zhubrosur, grisur, vendosur shenja të dallueshme dhe të veçanta), të evidentuara në procesverbal, nëse vërtetohet kopja, e pjesshme, ose e plotë, gjatë procesit të vlerësimit dhe konfirmohet nga komisioni përkatës, si dhe në rastet kur është marrë masa e përjashtimit nga provimi.