Kinezët njihen për aftësinë për të kopjuar me detaje idetë perëndimore, por kësaj radhe duket se kanë pasur një ide të vetën. Ndërtesa në ndërtim e sipër e gazetës “People’s Daily” ka një formë që të kujton organin mashkullor. Fotot e kullës që ka përfunduar së ngrituri janë shpërndarë nëpër rrjetet sociale, të cilat e kanë pagëzuar ndërtesën më të re të Pekinit me emrin “The Big Underpants”.
Fillimisht ishin përdoruesit e rrjetit Sina Weibo, varianti kinez i Twitter-it, të cilët vunë re ngjashmërinë, duke mbushur profilet e tyre me foto dhe komente.
“Duket se ndërtesa e People Daily po ngrihet lart, pra ka shpresë për ëndrrën kineze”, shkroi një përdorues, duke ironizuar sloganet politike të përdorura kohët e fundit për nxitjen e krenarisë kombëtare dhe rigjenerimit të kombit.
Por edhe në rrjetet sociale, mendimi i lirë nuk mund t’i shpëtonte censurës kineze. Në të njëjtin rrjet, nëse kërkon me fjalët kyçe “People’s Daily” dhe “building” (ndërtesë), përgjigja është “Në përputhje me ligjet, rregulloren dhe politikat tona, rezultatet e kërkimit nuk mund të shfaqen”.
People’s Daily është zëdhënësja zyrtare e partisë komuniste që drejton Kinën. Partia-shtet është e njohur botërisht për censurën shtypëse dhe kontrollin mbi çdo formë të medias në vend. / G. Sokoli