Në 100 vjet shtet, Shqipëria ka kaluar nëpër duar të ndryshme pushtetarësh, shqipëtarë dhe të huaj, duke i munguar stabiliteti, aq i nevojshëm për krijimin e politikanëve dhe drejtuesve të karrierës. Si pasojë e kësaj, në qoftë se i hedh një sy historisë së shtetit shqiptar, nuk do të gjesh asnjë kryeministër që të ketë ardhur në detyrë pas një përvoje pune në drejtim dhe administrim, asnjë syresh ,pas një karriere ashendente. Përvec mungesës së stabilitetit ka edhe shkaqe të tjera, si për shembull, mungesa e zgjedhjeve të lira, drejtimi i vendit në mënyrë absolutiste, duke e kthyer figurën e kryeministrit në një hije mjerane, emri i të cilëve gjendet vetëm nëpër shkresa të pluhrosura, dosjeve të zverdhura të arkivave të ndryshëm, ndërkohë që kohërat ndahen në të turkut, nemces së parë, Zogut, italianit, Enverit etj.
Kjo nuk do të thotë se në mes emrave të kryeministrave shqiptarë, nuk ka patur njerëz të shquar. Përkundrazi, ka patur njerëz shumë të nderuar ,që nga burra shteti si Ismail Qemali e deri në ekselenca intelektuale si Noli. Por të dy rezultuan jo të suksesshëm, i pari sepse gjeti një terren,që i ngjante asgjësë e plot me dallkaukë e haxhiqamilë si edhe fakti që u pengua nga fillimi i luftës së parë botërore dhe i dyti sepse i mungonte pikërisht kjo që themi, karriera politike dhe përvoja administrative. Ne mes emrave të tjerë mund të vecojmë Koco Kotën dhe Mehmet Shehun, por që gjithsesi nuk pushuan së qëni numrat dy dhe në sisteme jodemokratike, në të cilat roli i kryeministrit nuk është i njëjtë me atë që ka në një sistem demokratik.
Historia me kryeministra hije vazhdon deri në vitin 1997, vit ky që shënoi ndryshime rrënjësore në shumë gjëra, por në vecanti në lidhje me kompetencat e kryeministrit, që e kthenin atë në një figurë qëndrore dhe realisht në numrin një të vendit. Kryeministrat e ardhur pas këtyre ndryshimeve kishin të njëjtin handicap me pararendësit e tyre në lidhje me përvojën administrative; askush s’kishte bërë asgjë para se të bëhej kryeministër. Përjashtim bën vetëm kryeministri i fundit,i cili është unikal, besoj jo vetëm në Shqipëri, pasi ai erdhi në atë pozicion pas një përvoje të dështuar administrative, gati, gati kriminale…Pra ky kryeministër dallon nga të tjerët se nëse atyre iu mungonte përvoja, ky ka përvojë, por përvojë negative. Ndërkohë që ky tetëvjecar i drejtimit të tij e ka karakterizuar si të paaftë për të menaxhuar paratë publike, pra portofolin tonë të përbashkët. Them i paaftë për të mos thënë i qëllimshëm…
Një emër tjetër pregatitet të bëhet kryeministër. Ky është Edi Rama. Le ta ballafaqojmë këtë figurë me gjithë të tjerat, në mënyrë që të jemi të ndërgjegjësuar plotësisht kur të gjendemi përballë kutisë së votimit sepse sot më shumë se kurrë nuk na duhen në atë post Mic Sokolë e Vojo Kushë, por një menaxher i mirë i kontributeve tona, pra një kryeministër.
Angazhimi i tij politik fillon bashkë me aktivitetin akademik diku në fund të viteve ’80 dhe në fillim të atyre ’90. I lexuar si pakkush, jepte leksione te mrekullueshme, ku nderthurej akademizmi me filozofinë e politikën, leksione, që në formë dorëshkrimi, pasi nuk kishte fotokopje, përhapeshin nëpër rrethet studentore të kohës, të cilët përpinin cdo rresht e cdo fjalë të thënë. Mund të konsiderohet pa frikë si një nga ideologët e lëvizjeve demokratike që pasuan dhe që fatkeqësisht ,në mënyrë rastësore apo të qëllimshme, u menaxhuan nga njeriu i gabuar. Kjo solli edhe pozicionimin e tij në ajkën e opozitarizmit, kundër një sistemi të ri diktatorial që po formëzohej frikshëm. Publicistika që krijoi në këtë periudhë është një nga më brilantet, gjë që pranohet edhe nga kundërshtarët e tij politikë. Gjithashtu protagonizmi i tij civil në mbrojtje të emigrantëve dhe lobimi për cështjen e Kosovës, plotësojnë profilin e tij me një dimension të ri patriotik. Si pasojë e këtij aktiviteti,ai ftohet nga kryeministri Nano të drejtojë ministrinë e kulturës. Ky është edhe kontakti i tij i parë me drejtimin administrativ. Ministria e Kulturës, para ardhjes aty te Ramës, ishte një ministri në hije, ministri i së cilës as nuk njihej e as nuk përmendej. Puna e tij dyvjecare aty la mbresa të mira, duke i dhënë një peshë që nuk e kishte më parë kjo ministri, peshë, të cilën sot përsëri e ka humbur. Gjithsesi ishte një përvojë e vyer administrative për Ramën. Në vitin 2000, ai zgjidhet kryetar i bashkisë së Tiranës, bashkisë më të madhe në vend. Në këtë pozicion ai shkëlqeu, duke e kthyer kryeqytetin nga një vendbanim as fshat e as qytet, pra nga një vendbanim të paklasifikueshëm, në një kryeqytet të mirfilltë, me të cilin mund të krenohemi vërtet. Sigurisht vlerësimet individuale mund të kenë subjektivizëm, por vlerësimi i tij si kryebashkiaku më i mirë në botë dhe besimi i dhënë nga qytetarët e Tiranës për disa mandate rresht janë thellësisht objektive, duke përbërë kështu një fenomen tërësisht të vecante e të pazakonshëm në këtë vend të zhytur në borxhe e zullume. Me këtë deduktohet që aftësitë menaxheriale të kryeministrit në ardhje janë të vërtetuara tashmë dhe se përbën garanci të plotë për ti besuar portofolin tonë të përbashkët, të keqtrajtuar barbarisht deri më sot nga kryeministri në ikje.
Pas humbjes së zgjedhjeve në 2005-ën nga Partia Socialiste, ai bëhet kryetar i kësaj me një votë pothuajse unanime. Kjo përvojë politike shtatëvjecare kompleton edhe figurën e tij me një dimension që më parë nuk e kishte. Është njeriu i parë në Shqipëri që arrin të fitojë besimin e një partie të madhe që nuk e ka krijuar vetë. Nuk është e lehtë me një parti të cilën nuk e ke krijuar vetë dhe që karakterizohet nga një larmi idesh e qëndrimesh me karakter centrifugal. Në këtë këndvështrim, nuk ka qenë aspak e lehtë për Edi Ramën të arrijë mbështetje. Të gjitha këto peripeci e kanë pjekur atë si politikan.
Është hera e parë në historinë e shtetit shqiptar, që një profesor, një publicist, një ministër, një kryetar bashkie, një kryetar partie dhe të gjitha këto në një njeri të vetëm si rrallëkush, pregatitet të drejtojë punët në këtë vend. Është rast unikal për Shqipërinë, që një njeri me një karrierë të tille ashendente do të jetë kryeministër. Kjo përbën garanci. Për mua, Rama është njeriu i duhur, në kohën e duhur dhe në vendin e duhur.
*Autori është mjek, jeton në Durrës