Ndërsa vendet në të gjithë botën e kanë deklaruar të dështuar “luftën kundër drogës”, Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të financojnë për këtë qëllim miliarda dollarë në vendet latinoamerikane. Por të dhënat tregojnë se edhe lufta e SHBA-së ka qenë e padobishme, sepse tregtia e lëndëve narkotike është bërë edhe më e egër
Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të mbrojnë ndërhyrjen e tyre kundër trafikimit të drogës në Amerikën Latine, pavarësisht se ajo ka dështuar në mënyrë flagrante. Prej vitesh SHBA-ja e ka militarizuar luftën kundër drogës në këtë territor dhe operacionet e saj janë ndër më të kushtueshmet që nga periudha e Luftës së Ftohtë, duke harxhuar dy miliardë dollarë në vit për armatimin e ushtarakëve të vendeve latine në përpjekje për të reduktuar tregtimin e lëndëve narkotike.
Anije, avionë, helikopterë dhe njerëz, të gjithë të angazhuar në kontinentin jugor në gjuetinë e kriminelëve që zhvendosen nga shteti në shtet duke u bërë bisht sulmeve amerikane dhe në përfundim të secilës, rezultati është ai i zgjerimit të organizatave kriminale dhe i shumëfishimit të akteve të dhunës, duke lënë në terren dhjetëra mijëra viktima. I vetmi aspekt pozitiv për amerikanët, është se disa prej tyre kanë përfituar shuma të mëdha prej armëve, të cilat u janë ofruar me bujari vendeve fqinje. Këtyre vendeve u janë shitur armë me çmime shumë të ulëta, ndërkohë që këto janë blerë nga të ardhurat e tatimpaguesve amerikanë.
Masakrat
Kolumbia dhe Meksika janë prova më e qartë që ndërhyrja e Shteteve të Bashkuara ka sjellë dinamika, të cilat kanë shkaktuar më shumë të vdekur sesa ndërhyrja amerikane në Afganistan. SHBA-ja ka pajisur me armatime personazhe me reputacion të keq dhe elementë të forcave të sigurisë me një të kaluar edhe më të diskutuar, që shpesh paguhen nga ata që punojnë për kartelet e drogës. Madje kanë arritur t’u zënë edhe vendet brenda karteleve.
Shpenzimet
Vitin e kaluar, nëntë nga dhjetë dollarë të shpenzuara për Amerikën e Jugut nga Uashingtoni, shkuan për luftën kundër drogës, të cilën prej disa vitesh autoritete dhe qeveri të ndryshme e pranojnë si të falimentuar. Megjithatë, programi vazhdon të financohet dhe të mbrohet nga administrata amerikane dhe sigurisht nga ushtarakët e angazhuar në betejën kundër drogës. Xhil Kosi, cari i drogës Kerlikovske, pohon se gjatë 2012-s në në Kolumbi u reduktua ndjeshëm prodhimi i lëndëve narkotike dhe dhuna. Askush nuk do t’i kundërvihej këtij pohimi po të mos ishte për faktin që prodhimi i drogës dhe vandalizmi ka shpërthyer në vendet e tjera përreth. Në Meksikë furnizimi me armë amerikane ka arritur në nivele të tilla që i bën konkurrencë edhe luftërave të vërteta. Nga ana tjetër, në Shtetet e Bashkuara tregtia e drogës ka pësuar ndryshim orientimi. Këtu po përparon në mënyrë dramatike shitja e metamfetaminës, e prodhuar në laboratore shtëpiake, ndërsa kërkesat për kokainë kanë pësuar një bjerrje të ndjeshme.
Propaganda
Më shumë se 4 mijë ushtarakë të angazhuar me kohë të plotë në luftën kundër drogës, bashkë me kolegët e tyre latinoamerikanë, janë ushtarë që kanë shpërndarë e promovuar teknika dhe një mentalitet luftarak të ashpër, rezultat i të cilave janë disa dhjetëra mijëra vdekje të dhunshme vetëm brenda një viti.
Por, për Brik Skoginsin që drejton programin e antidrogës në Departamentin e Mbrojtjes, “gjakderdhja e pandërprerë tregon se strategjia funksion”. Një absurditet i pamenduar, i denjë për një “lopçar”(cow boy) më shumë sesa për një person që ka përgjegjësinë e shpenzimeve të miliarda dollarëve dhe të mijëra jetëve të shkuara dëm. Nuk mjaftojnë këto për të treguar që është fituar një luftë dhe aq më pak nëse operacione të tilla policore i lihen në dorë ushtrisë.
Përgatiti: Dorina Gjuzi