Policia Kufitare e Kakavijes gjatë kontrollit të një autobusi ka kapur 10 kilogramë lëndë narkotike.
“Gjatë kontrollit të autobusit me targa AA 017 CE, të linjës ndërkombëtare Vlorë Athinë të shoqërisë Euro Lines, rezultoi se mbi gomën e parë në krahun e pasagjerit, në një dhomë të fshehtë të krijuar enkas për të fshehurlëndë narkotike, u konstatua një thes plasmasi i mbushur me pako me lëndë narkotike”, thuhet në njoftimin e policisë lokale.
Menjëherë efektivat e Policisë Kufitare kanë njoftuar Specialistët e Sektorit Kundër Narkotikëve në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër , të cilët kanë mbritur menjëherë në vendgjarje së bashku me grupin hetimor.
Grupi hetimor ka konstatuar se në thesin që u gjet në dhomën e fshehtë kishte 10 pako me lëndë narkotike Mariuanë me peshë 1.2 kilogramë secila gjithësej 12 kilogramë.
Specialistët e Sektorit Kundër Narkotikëve kanë shoqëruar në ambjentet e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër , dy drejtuesit e autobuzit, fatorinon dhe pronarin e firmës për veprime të mëtejshme.
Në përfundim të veprimeve të para profesionale dhe hetimore të kryera nga Specialistët e Sektorit Kundër Narkotikëve, pronari i automjetit dhe fatorinua janë lënë të lirë.
Ndërsa dy drejtuesit e autobuzit janë arrestuar në flagrancë dhe konkretisht: Sotiraq Sholla, i datëlindjes 1960 , banues në Vlorë; Arian Balloma, i datëlindjes 1970 , banues në Gjirokastër. Lënda narkotike dhe autobuzi janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale. Pasagjerët e autobuzit kanë vijuar lëvizjen për në Athinë , me një autobuz tjetër të kësaj linje. Vijojnë hetimet në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda Tiranë.