Luljeta nuk pranon të heqë dorë. Pavarësisht se kanë kaluar 11 vjet mes rasteve të dhunës, ajo vijon të ndiejë gëzim në momentin që një grua gjen më në fund zgjidhje
Të flasësh për Luljetën në qendrën e gruas “Hapat e Lehtë” në Shkodër, dëgjon vetëm lavde. Ndoshta edhe duke të të vënë në dyshim për gjithë meritën e saj në luftën kundër dhunës ndaj gruas. Pastaj kur ndeshesh me të, është ndryshe. Pasioni me të cilin ajo flet, të përfshin. E nëse do të vërtetosh dëshirën e saj për të ndihmuar, mjafton të pyesësh policë të Shkodrës. “I ndihmon gratë, si të jenë motrat e veta”. Dhe Luljeta Alibali e bën këtë gjë prej 11 vjetësh. Shkollën e lartë e mbaroi për gjuhë-letërsi. Fillimisht puna me gratë ishte një zgjidhje momentale, por më pas kuptoi që kishte bërë zgjedhjen e duhur, nga e cila s’do të heqë dorë. Teksa pyetet për mesazhin që u jep grave të tjera, ajo është e prerë: “Dhuna nuk është fati që të ka rënë!”
Më poshtë, intervista e plotë për gazetën “Dita”:
Sa vite ke që punon me gratë e dhunuara?
Në qendrën e gruas “Hapat e Lehtë” punoj që më 5 qershor 2001, që në krijimin e kësaj qendre.
Ç’është për Luljetën një grua e dhunuar?
Për mua një grua e dhunuar është një grua e shkatërruar psikologjikisht, që ka duruar shumë vuajtje, tortura, shpirti i saj është i mbushur me dhimbje nga vuajtjet ndër vite…, që sytë e saj të lodhur kërkojnë ndihmë, që e ka kuptuar se nuk ia vlen më të sakrifikojë, se e mira e fëmijëve të saj është larg atij ambjenti të dhunshëm…
Ka pasur momente që ke menduar të heqësh dorë?
Jo jo, asnjëherë nuk më ka shkuar ndërmend të heq dorë nga puna që bëj, megjithëse vërtet ka pasur momente që jam ndier shumë e lodhur. Në punën që bëj kam parim të jap maksimumin dhe në momentin që rasti merr drejtimin e duhur, ndihem mirë dhe lodhja më kalon. Lirohem shpirtërisht kur shoh gruan e dhunuar që ndihet e mbështetur.
Ke mbaruar për gjuhë-letërsi, por vijon si sociologe. Zgjidhje apo zgjedhje?
Punësimi im në Qendrën e Gruas “Hapa të Lehtë” ishte zgjidhje, por shpejt kuptova se puna që bëja, ishte tamam ajo që unë pëlqeja të bëja: të mbështesja personat në nevojë.
Cila është marrëdhënia e Luljetës me policinë?
Me policinë, si me çdo institucion, kam marrëdhënie shumë të mira, por fillimet kanë qenë të vështira (Qendra jonë i jep rëndësi të veçantë bashkëpunimit me institucionet).
Gjatë punës, në takime me punonjës të ndryshëm të policisë, edhe debatoj, por debati shërben edhe si ndërgjegjësim dhe efektin pozitiv e shoh në takimin e ardhshëm…
Një problem serioz i punës sime është lëvizja e punonjësve të policisë nga pozicioni i tyre, p.sh. nga viti 2006 është ndërruar disa herë drejtori, punonjësi nga sektori kundër dhunës etj.
Si e sheh familja punën që bën? A janë ata një mbështetje?
Familjen e kam pasur gjithmonë mbështetëse në punën time. Madje puna ime ka shërbyer si ndërgjegjësim për familjen time, në kuptimin që duke dëgjuar nga unë histori rrënqethëse të grave të dhunuara (sepse kur ndihem e ngarkuar shumë emocionalisht, historinë ia tregoj bashkëshortit, fëmijëve, i cili më mbështet mirë emocionalisht) burri dhe djemtë e mi kanë kuptuar realitetin ku jetojmë, se si sillen burrat me gratë dhe fëmijët e tyre, shpesh duke u shokuar nga këto histori shpeshherë të paimagjinueshme …
Cila ka qenë ora më e vonë që ke dalë nga shtëpia për të ndihmuar dikë?
Ora më e vonë ka qenë 10:30, një e shtunë në darkë, ku policia e Malësisë së Madhe, e orientuar nga punonjësi i policisë kundër dhunës në familje Shkodër, më kërkon mbështetje për një nënë me tre fëmijët e saj nga Tamara…
Ka pasur rast që nuk i ke përmbajtur dot lotët?
Në fillimet e punës sime më ka ndodhur shpesh. Tani mundohem t’i përmbaj lotët… I vura vetes detyrë që të mos përfshihem deri në atë pikë; por mendimi im është se po nuk u përfshive, nuk e ndihmon rastin në zgjidhjen e problemit dhe një qëndrim i tillë është njerëzor, apo jo? Kur sheh gruan dhe fëmijën të nxirë komplet trupin, të gjakosura, me dhëmbë të thyer, kur sheh mure të gjakosura, dyer të shkallmuara, frigoriferë bosh, sytë e tyre që të kërkojnë ndihmë, është e pamundur të mos përfshihesh.
Je ndier ndonjëherë se padrejtësia të është bërë edhe ty, përveç gruas së dhunuar?
Më ka ndodhur me një punonjës policie dhe i thashe: “Mor zotni, me sjelljen tënde më vure mua në siklet, jo më gruan, e bëre që të harrojë ditëlindjen e fëmijës…”
Mendon se familja në Shqipëri është më e fortë apo më e dobët në vitet e fundit?
Nuk mund të them që familja shqiptare është më e dobët vitet e fundit, se do të përfshija edhe familjen time. Por them që familja shqiptare ka probleme të shumta sociale kryesisht zonat rurale, familjet që kanë migruar në qytet, të cilat janë personat që e frekuentojnë më shumë qendrën tonë.
Si e sheh shoqëria shqiptare dhunën? Si edukuese apo ndëshkuese?
Fakti që krimi në familje për fat të keq është present ose numri i rasteve të grave që kërkojnë mbështetje që është shtuar, të duket se shoqëria shqiptare e sheh dhunën si edukuese. Por jo, jam e bindur që pjesa dërrmuese e shoqërisë e dënon këtë mënyrë të sjelluri. Dhuna në familje për mendimin tim është një problem me rrënjë të thella, një problem social që kërkon punë intensive paralele në dy dretime: në edukimin e fëmijëve dhe njëherësh edhe ndaj fenomenit aktual të dhunës në familje. Për mendimin tim, më shumë duhet të punohet për ndërgjegjësimin e shkakut të dhunës, pra me burrat, sepse pasoja, pra gruaja, tashmë është e ndërgjegjësuar.
Ke besim te sistemi i drejtësisë në vend?
Nga puna ime gjatë mbështetjeve të grave, me sistemin e drejtësisë, në përgjithësi jam e kënaqur, duke përjashtur raste të veçanta. Gjithashtu, puna e prokurorisë kur ka thyerje të urdhrave të mbrojtjes…
Nëse do kishe në dorë të ndryshoje diçka në sistemin e drejtësisë, ç’do të ndryshoje?
Në sistemin e drejtësisë duhet sensibilizim i vazhdueshëm për dhunën ndaj grave. P.sh. në punën tonë kemi pengesë marrjen e vendimeve të urdhërave mbrojtjës duke u bazuar jo vetëm në prova, si p.sh: ekspertiza. Por duhet të merret vendime edhe me bindjen e vetë gjygjtarit, sepse gratë që të arrijnë deri në dyert e gjykatës, janë matur shumë, është hap I matur nga ato. Dhe, në fund të fundit, urdhri mbrojtës ka për qëllim parandalimin, reduktimin e dhunës në ambjentet familjare. Gratë gjatë viteve të jetës bashkëshortore kanë duruar shumë dhunë nga bashkëshortët e tyre me shpresë se do të ndryshojnë sjellje. Dhe në momentin kur binden se duhet të marrin një hap të ri, të denoncojnë, nuk kanë prova bindëse për seancen e urdhrit mbrojtës.
Mendon se kemi strukturën e duhur për ta luftuar një fenomen të tillë?
Po, strukturat mendoj se janë të duhurat, por në polici mendoj se do të duheshin më shumë gra të punësuara.
Kur bëhet fjalë për dhunën, a ka diferencë mes atyre me kollare dhe klasës së ulët?
Jo, diferencë nuk ka mes të qenit me kollare apo i shtresës së ulët. Por për të dalë nga dhuna, është më e lehtë kur gjendja ekonomike është më e mirë, sepse një pengesë e grave për t’i thënë stop dhunës, është gjendja e vështirë ekonomike.
Edhe sa kohë mendon t’i dedikohesh kësaj çështjeje? Do vijë një moment që do thuash “mjaft më!”?
Jo, jo, asnjëherë nuk më ka shkuar në mendje të them “mjaft, s’mundem më!”. Vërtet ndihem mirë kur u lehtësoj sadopak dhimbjet.
Nëse dhuna do të zhdukej, ku do ta shihte Luljeta veten?
Më pëlqen të ndihmoj personat në nevojë, psh. tek personat me aftësi ndryshe.
Një mesazh për gratë që mund ta lexojnë këtë intervistë tënden dhe që ndiejnë dhunën e çdo lloj forme?
Mesazhi im! Jemi ne gratë që duhet të punojmë me fëmijët tanë. T’i edukojmë si djalin, edhe vajzën njëlloj, pa dallime gjinore, të kenë ngritje profesionale dhe kryesorja, të mos i nënshtrohen dhunës. Dhuna nuk është fat që u ka rënë, por është një periudhë nga mund të dilet.
Bravo Luljeta. Per njerez si ti ka nevoje shoqeria shqiptare. Pune te mbare
Jam nji nga grate qe ka ndihmu Qendra edhe Jeta personalisht , fatmirsisht ja kam dal por me asht dasht me ik prej Shqipniet me pshtu vedin edhe fmit e mi.
Une e kam njohu Jeten mga afer, nje femer e forte dhe kurajo te madhe.
Bravo per mbeshtetjen qe i jep te gjitha grave ne nevoje, shoqeria shqiptare ka nevoje per njerez te ndershem .