Prodhimet shqiptare do të zënë një vend të veçantë në tregjet e kryeqytetit dhe më gjerë. Kjo është nisma më e re që pritet të realizojë Ministria e Bujqësisë në bashkëpunim me të gjitha njësitë bashkiake në kryeqytet. Gjatë inspektimit të kryer dje në tregun te sheshi “Avni Rustemi”, ministri Edmond Panariti ka deklaruar se do të krijohet një segment i veçantë në tregje për prodhimet shqiptare ‘bio’, duke i ndarë ato nga produktet e importit. Në këtë mënyrë, sipas ministrit Panariti parashikohet jo vetëm të arrihet rritja e prodhimeve shqiptare, por edhe tju ofrohet më shumë cilësi dhe siguri konsumatorëve. Fillimisht nisma do të nisë nga tregu Avni Rustemi në Tiranë. “Mendoj se ekzistojnë këto mundësi, që të rezervojmë një hapësirë të tregut dhe do të fillojmë me tregun ‘Avni Rustemi’ dhe tregje te tjera që janë nën administrimin e minibashkisë suaj, ku ne te tregtojmë vetëm shqip, që prodhuesve të vendit t’u krijohet mundësia për të dalë me prodhimet e tyre bio, por dhe konsumatorit shqiptar t’i vihen në dispozicion prodhimet shqiptare që mendoj se janë më cilësore se prodhimet e importit. Mendoj se së afërmi do jemi sërish bashkë për të inauguruar këtë pjesë të tregut që do jetë enkas për prodhime të markës shqiptare”, është shprehur ministri Panariti. Më tej Ministri Panariti vizitoi dhe disa dyqane të peshkut, ku dha një tjetër mesazh atë të mostregtimit të daterit. “Do kërkoja që ju ta ndalonit furnizimin me daterin. Do doja që t’i thonit jo çdo tentative për t’u furnizuar me këtë molusk, pasi tregtimi i tij do të thotë shkatërrim i Shqipërisë dhe i pasurive tona nënujore”, përfundoi ministri Panariti.