Anila Kajtazi, nëna e dy vajzave të zhdukura prej 25 ditësh, tregon bisedën e fundit që ka bërë me Orialdën gjatë kohës që ndodheshin në spital, në Tiranë.
Në orët e mbrëmjes së datës 15 korrik, tregon ajo, e ka telefonuar vajza e dytë (Orialda), e cila ka dashur të sigurohej se prindërit dhe motra e madhe ndodheshin ende në Tiranë, me qëllim për t’u larguar të qeta.
“Nuk di çfarë të them. Po përjetojmë dhimbje dhe turp njëkohësisht. Ju e dini historinë. Në darkë, më 15 korrik, më mori Orialda në telefon për të më pyetur si ishim dhe ku ndodheshim. Unë i thashë se ndodheshim ende në Tiranë dhe i lashë disa porosi. U thashë të siguronin mirë dyert dhe dritaret, para se të flinin. Më tha mirë”, tregon Anila Kajtazi.
Ajo shton se i kishte bërë përshtypje fakti se gjatë bisedës telefonike që kishte pasur me të bijën, kjo e fundit kishte insistuar për të mësuar se sa kohë do të qëndronin në spitalin e Tiranës, raporton GSH.
“Ola më pyeti disa herë, ‘sa do qëndroni në spital, çfarë ju thanë mjekët? Nuk do të dilni sot?’ Unë i thashë që jo, kishte mundësi të qëndronim edhe të nesërmen, sepse nuk ishim mirë. Pas kësaj bisede të shkurtër telefonike, Orialda e mbylli telefonin. Pas disa orësh na morën në telefon komshinjtë dhe na thanë se shtëpia kishte marrë flakë. Fillimisht u trembëm se menduam që ndodheshin brenda edhe vajzat, por fqinjët na treguan se nuk i gjetën në shtëpi. Kur erdhëm të nesërmen, u përballëm me një realitet shokues. Unë nuk arrita të kuptoja planin që vajzat po thurnin, pasi gjatë bisedës ato ishin mjaft të qeta. Nuk më lanë të kuptoja se diçka i shqetësonte dhe do të arrinin në këtë pikë”, përfundon rrëfimin nëna e dy vajzave të zhdukura.