Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë i Republikës së Shqipërisë, Erion Veliaj dhe Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale i Republikës së Kosovës, Nenad Rashiç, nënshkruan sot një Memorandum Bashkëpunimi në kuadër të projektit të mbështetur nga UNDP për zhvillimin e Portalit Rajonal të Punësimit, i cili është fillesa e një tregu të përbashkët pune mes dy vendeve, me synimin për t’u shtrirë edhe më gjerë në rajonin e Ballkanit.
Projekti në fjalë përfshin ndërtimin e një portali të përbashkët ndërmjet Shqipërisë, Maqedonisë dhe Kosovës, çka do të integronte edhe portalin e Shërbimit Kombëtar të Punësimit në vendin tonë. Integrimi i databazave të punës do të mundësojnë që qytetaret e secilit prej dy vendeve të kenë një qasje të drejtpërdrejtë për njoftime për vende të lira pune të vendosura në faqet online të secilit prej shërbimeve.
Në konferencën për shtyp e organizuar me këtë rast, Ministri i Mireqenies Sociale dhe Rinisë, z. Veliaj, nënvizoi faktin se nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje shënon fillimin punës për një treg të përbashkët pune. “Marrëveshja që po nënshkruajmë sot bën të mundur që çdo qytetar i Republikës së Shqipërisë dhe i Republikës së Kosovës të aplikojë për vendet e punës që do të reklamohen nga bizneset private dhe entet e tjera të të dyja vendeve. Ne gjykojmë se nuk duhet të ketë më pengesa për të marrë një leje punësimi. Kjo ide pritet të përfshijë edhe Maqedoninë apo Malin e Zi, por më vjen mirë që Shqipëria dhe Kosova janë fillesa e këtij bashkëpunimi rajonal”, deklaroi Veliaj.
Nga ana e tij, Ministri Punës dhe Mirëqenies Sociale i Republikës së Kosovës, Nenad Rashiç, shpjegoi se krijimi i portalit të ri të punës ka për detyrë që t’u mundësojë punëmarrësve dhe punëdhënësve të të dyja vendeve më shumë informacione sa i takon vendeve të punës, si dhe të krijojë një bazë strukturore me punëtorë të kualifikuar, të cilët mund të punojnë në vende të ndryshme të rajonit.
“Detyra jonë është të krijojmë mundësi jo vetëm për qytetarët e Kosovës dhe Shqipërisë, por edhe të vendeve të tjera të rajonit. Marrëveshja që po nënshkruajmë sot është një fillim konkret, një kapitull i ri për të gjithë punëmarrësit dhe punëdhënësit”, u shpreh Rasiç, duke vënë në dukje se një pikë tjetër e bisedimeve mes dy ministrave ishte edhe hapja e tre qendrave profesionale. “Pra, që punëkërkuesit e dy vendeve të kenë më shumë mundësi trajnimi, e në këtë mënyrë shkollat profesionale do të jenë më të frytshme”, tha ai.
“Duke qenë se për Tropojën, Hasin dhe Kukësin, qendrat më të afërta të formimit profesional janë ato të Gjakovës dhe Prizrenit, kemi rënë dakord që të nxisim frekuentimin edhe nga nxënësit e studentët tanë, në ato fusha ku ne kemi nevojë dhe ku investimet në arsimin profesional kanë munguar”, nënvizoi Veliaj.
Në mbyllje të takimit, Rashiç e ftoi Ministrin Veliaj për një vizitë zyrtare në Kosovë.
Bravo Veliaj. Eshte perhere baskepunues e puntor i palodhur
Ministri me rezultativ i qeverise gjer me tash.Veliaj ke mbeshtetjen e te gjithe shqiptareve.Bravo!
Marreveshje te mira per kete popuulll 🙂 Urime