Një editorial i disa ditëve më parë i të përditshmes amerikane e ka ftuar presidentin Barack Obama dhe Sekretarin amerikan të Shtetit, John Kerry, që të mos merren më me procesin e paqes izraelito-palestineze. Sipas “NYT”, administrata duhet të heqë dorë nga kapërcimi i aksioneve të pandryshueshme të të dyja palëve dhe t’i dedikohet “sfidave të tjera ndërkombëtare” si për shembull krizës në Ukrainë.
Pozicioni amerikan – Linjat e shënuara nga editoriali janë ato që kanë karakterizuar pozicionin amerikan, e që tashme prej vitesh gjejnë mbështetjen e palestinezëve po aq sa edhe refuzimin e izraelitëve: Ngritjen e një shteti palestinez në territoret e Cisjordanisë dhe Gazës, bazuar në kufijtë e 1967-s dhe modifikuar nëpërmjet marrëveshjeve të shkëmbimit të territoreve, ku Jeruzalemi pretendohet si kryeqytet nga të dyja shtetet. Por këto izraelitëve të sotëm nuk iu shkojnë për shtat. “NYT” kujton denoncimin e ministres së Drejtësisë, Tzip Livni, që drejton delegacionin izraelit në negociatat për paqe. Ajo e ka etiketuar ministrin e Ekonomisë të Izraelit, Naftali Bennett dhe atë të Strehimit e Ndërtimeve, Uri Ariel, si sabotatorë të bisedimeve. Por është e qartë që kryeministri Beniamin Netanjahu, është përgjegjësi i një taktike e cila dështoi akordet e arritura në Oslo kur dukeshin tashmë drejt një marrëveshjeje përfundimtare.
Mungon vullneti – “Masat provokuese të ndërmarra nga Izraeli në dëm të Palestinës vazhdojnë me ngritjen e vendbanimeve të reja izraelite, ndërsa negociatorët humbin kohë në tavolinën e bisedimeve”, shkruhet në editorial. Në Cisjordani jetojnë rreth 360 mijë izraelitë dhe 300 mijë të tjerë jetojnë në Jeruzalemin lindor.
Shtetet e Bashkuara dhe shtetet e tjera, duke u bazuar në të drejtën ndërkombëtare, i konsiderojnë këto vendbanime të paligjshme sepse ato janë ngritur në territore të pushtuara. Por pavarësisht angazhimit të SHBA-së, ka pak shpresa për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare paqeje. Dhe në fakt izraelitët kanë një konsensus të madh mes tyre për të vazhduar kolonizimin e territoreve të pretenduara dhe ngritjen e mëtejshëm të kafazeve dhe barrierave për të forcuar aparteidin e palestinezëve në shtëpinë e tyre.
“New York Times” e fton kështu qeverinë amerikane që të marrë në konsideratë penalizmin e Netanjahut dhe qeverisë izraelite për këtë vënie në lojë dhe për abuzimin e vazhdueshëm të të drejtave të palestinezëve. Refuzimi për të sanksionuar Izraelin e privon Uashingtonin nga çdolloj leve mbi qeverinë izraelite. Netanjahu e ka kuptuar prej kohësh dhe mbi të ka ngritur forcën e tij. Ndërsa Izraeli ndërton mbi iluzionin e pastrimit etnik, pushtimi i Cisjordanisë është diçka e faktuar tashmë dhe jo një aventurë e paligjshme dhe e çmendur.
Izraeli pezullon negociatat pas marrëveshjes Fatah – Hamas
Dy fraksionet më të rëndësishme palestineze, Fatah dhe Hamas, njoftuan të enjten arritjen e marrëveshjes për të formuar një qeveri të përbashkët brenda 5 javëve të ardhshme. Nisma konsiderohet si një hap i rëndësishëm pas vitesh ndasish, të nisura që në 2007-n për shkak të vendimit të Hamas që të merrte kontrollin e plotë të Gazas dhe të formonte një qeveri rivale me atë të Fatah.
Reagimi i Izraelit për unifikimin e Fatah me Hamas ka qenë i menjëhershëm, duke pezulluar bisedimet me palestinezët. “Qeveria izraelite nuk do të marrë pjesë në bisedimet për paqe me Autoritetin Kombëtar Palestinez, të fiksuara për të mërkurën. Izraeli nuk do të zhvillojë më negociata me një qeveri palestineze, e cila mbështetet nga Hamas, një organizatë terroriste që bën thirrje për shkatërrimin e Izraelit”, thuhej në një deklaratë zyrtare.
Autoriteti Kombëtar Palestinez drejtohet nga presidenti Mahmud Abbas (i njohur edhe me emrin e Abu Mazen) që i përket partisë Fatah. Vetë kryeministri Beniamin Netanjahu tha se Abbas duhet të zgjedhë mes paqes me Izraelin dhe paqes me Hamasin.
Edhe Shtetet e Bashkuara kanë shprehur zhgënjimin për këtë pajtim të beftë të organizatës islamike dhe komunitetit palestinez të Abbas. “Ky veprim mund të ndërlikojë seriozisht përpjekjet tona për paqen”, deklaroi zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit, Jen Psaki.
Funksionarët e Autoritetit Palestinez janë përgjigjur se një pajtim i mundshëm i brendshëm me lëvizjen islamike palestineze është vetëm çështje e brendshme e Palestinës. Ata shtuan se Hamas është e angazhuar për të dialoguar për arritjen e paqes në bazë të zgjidhjes së të “dyja shteteve”. Marrëveshja, e forcon edhe më tej pozitën e Abbas brenda Autoritetit Palestinez dhe e bën më pak të izoluar Hamas-in.
Përgatiti: Dorina Gjuzi