Ironia e fatit është se ngjarjet e dhjetorit 1990 që çuan në përmbysjen e diktaturës në Shqipëri dukej sikur u frymëzuan nga një dëshirë legjitime për njohjen e së drejtës së lirisë së fjalës bashkë me të tjera të drejta qytetare; por mjafton t’i hidhet një sy Shqipërisë së fillimit të këtij shekulli të XXI për të konstatuar se ata që praktikisht përfituan më shumë nga përmbysja e fundvitit 1990 tanimë nuk kanë asgjë për të thënë, prandaj edhe nuk dinë ç’të bëjnë me të drejtën për të cilën u luftua atëherë dhëmb për dhëmb me censorët e regjimit, kur gjirizi totalitar po denoncohej më shumë me artikuj gojëshkathëtish plot fjalë e mendime të mençura sesa me manifestime rrënjëshkulurish në pjacat qytetëse; madje edhe ata që luftuan e vunë kokën në rrezik për ta fituar këtë të drejtë, sot nuk duket të kenë më arsye as motiv për ta përdorur; sepse e drejta e fjalës presupozon njëfarë fermenti intelektual; një proces të menduari të ndërlikuar dhe me konflikte; por edhe një shpresë se intelektit gjithnjë i takon të luajë një rol vendimtar në përcaktimin e fateve të vendit; në një kohë që shtresa që iu kacavar pushtetit në Tiranë dhe që nuk besoj se do ta lëshojë ndonjëherë, u ngjit aty (edhe) për të hequr dorë, një herë e mirë, nga jeta mendore. Me fjalë të tjera, lëvizja e dhjetorit nisi si një lëvizje thellësisht intelektuale, por sot – më se një dekadë më vonë – rezultatet mund t’i maten fare mirë me metrat katrorë të vilave të ndërtuara.
Email nga adresa: [email protected]