Ky është vendimi i një gjykate në Nju Jork, i cili motivohet me faktin se vajza nuk kishte statusin e të punësuarës me titull të plotë
Ngacmimi seksual i stazhisteve nuk është një krim. E pohon një vendim i gjykatës së distriktit të Nju Jorkut, i nxjerrë pas denoncimit të bërë nga 22-vjeçarja Lihuan Wang ndaj një menaxheri të kompanisë “Phoenix Satellite Tv”. Wang studente në “Syracuse University”, filloi të punonte si stazhiste në zyrat e kompanisë në Nju Jork.
Vajza pohon se shefi i saj, Zhengzhu Liu, tërhoqi me një pretekst në një dhomë hoteli. Kur të dy u gjendën vetëm, Liu më parë i foli për mundësinë e punësimit të saj me orar fiks dhe të mirëpaguar dhe pastaj “iu hodh përsipër”, duke tentuar që ta puthte, shkruhet në aktin e denoncimit. Stazhistja refuzoi ngacmimet e shefit, u largua nga hoteli dhe pas disa ditësh u përball me vendimin e Liu-së për të mos i rinovuar kontratën e stazhit.
Gjykatësi i Nju Jorkut, Kevin Castel, përgjegjës për këtë çështje, pasi ekzaminoi dokumente dhe dëshmi mbërriti në përfundimin se e reja nuk mund të ngrejë asnjë kërkesë në dëm të ish-shefit të saj sepse nuk “kishte statusin e të punësuarës me titull të plotë”.
“Nuk ka asnjë dyshim mbi faktin se Wang nuk ishte punësuar për shërbimet e saj në aspektin profesional” lexohet në vendimin e Castel, “pra dhe ligjet që në Nju Jork mbrojnë të drejtat e të punësuarve nuk mund të aplikohen në mbrojtje të saj”.
“Konfirmimi i vendimit i marrë nga gjykatësit ka risjellë në kujtesë një precedent të vitit 1994, kur e reja Bridget O’Connor, infermiere stazhiste, denoncoi një nga doktorët me të cilin bashkëpunonte sepse ky e kishte etiketuar “Miss Ngacmimi Seksual”, por gjykatësi e refuzoi kërkesën e saj me motivimin se nuk ishte e punësuar./D.Gjuzi