Dërguar me email
në adresën e redaksisë
Ka një koinçidencë të rrallë në “çiftin presidencial” shqiptar, në Tiranë e Prishtinë: Nishani dhe Jahjaga, herë pas here bëhen personazhe të ditës me ndonjë lapsus a gafë; dhe më pas nis tjerrja e personalitetit të tyre, staturës së mangët për të gëzuar një ofiq kaq të lartë, siç është ai i kreut të shtetit. Po nëse Jahjaga nuk është aty prej vetes, e nuk ka lirinë e duhur të vendosë për veten, për shkak të rrethanave të emërimit që janë dhe konjuktura ndërkombëtare në Kosovë, Nishani gëzon rrethana më favorizuese për t`u treguar burrë, në mos shteti, e të vetëlargohet nga ai post, pasi është produkt konjuktural i njeriu të vetëm, Sali Berishës, dhe as i ndërkombëtarëve ose i një apo dy forcave politike.
Ai është krejtësisht i ligjshëm në atë post, e theksuar kjo dhe nga Rama në ish-pozitën e tij si kreu i opozitës, porse është jolegjitim, pasi ka ardhur aty pa një konsensus minimal mes mazhorancës e opozitës, e për më tepër, edhe vetë duhet të jetë i ndërgjegjshëm që nuk gëzon staturën as politike e as intelektuale për të qenë president. Më pas, do mjaftonte rezultati i 23 qershorit, që Nishani të kuptonte se ajo votë plebishitare kundër Berishës, ishte dhe kundër tij.