Mbledhja e sotme e Këshillit të Lartë të Drejtësisë ka nisur me fjalën e kreut të shtetit, njëkohësisht kryetar i këtij Këshilli, Bujar Nishani. Nishani vlerësoi ndërhyrjet e bëra në Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës Penale, të cilat sipas tij do të ngushtojnë abuzimet e bëra nga gjyqtarët apo prokurorët. Nishani tha se do të ketë mbështetje për gjyqtarët, por edhe penalizime për të gjithë ata që abuzojnë me detyrën.
“Ndaj me opinionin publik këtë vlerësim të KLD. Mbështesim punën e gjyqtarëve tanë, inkurajojmë profesionalizmin, nxisim integritetin, dhe nga ana tjetër do jemi qenë monitorues të kujdesshëm, gjykues të drejtë dhe penalizues të ashpër kur të vëmë re vendime në kundërshtim me ligjin, që cenojnë qytetarët, pavarësisht motiveve që i shtyjnë këta gjyqtarë të marrin këto vendime”, tha kreu i KLD-së.
Nishani ftoi qytetarët që të hartojnë ankesat e tyre në adresë të KLD-së përmes portalit online. “Këto ankesa do ndiqen me përparësi”, tha Nishani, ndërsa i cilësoi të patolerueshme zvarritjet që u bëhen proceseve gjyqësore.