Krerët e shtetit shqiptar, Presidenti, Kryetari i Kuvendit dhe Kryeministri, kanë folur në një zë pro ndryshimeve në ligjin themeltar të shtetit. Tashmë që Kushtetuta e Shqipërisë ka mbushur 15 vjet, të gjithë faktorët politikë në vend pranojnë nevojën e ndryshimeve dhe përmirësimeve me përfshirjen e të gjithë faktorëve. Kryeministri Edi Rama, i cili drejton një shumicë prej 85 mandatesh, shumë afër numrit të nevojshëm prej 93 deputetësh që nevojiten për të ndryshuar Kushtetutën, ka premtuar se asnjë ndërhyrje në ligjin themeltar të shtetit nuk do të bëhet pa konsensus të gjerë. Në këto 15 vite Kushtetuta shqiptare ka ndryshuar 3 herë dhe ndërhyrja më e debatuar mbetet ajo e 21 prillit të vitit 2008, ndërhyrje që solli edhe çarjen e madhe mes PS dhe LSI, veçanërisht për sistemin zgjedhor, por edhe për mocionin e besimit dhe mosbesimit ndaj kryeministrit. Dje, dy politikanët, ranë dakord se ndryshimet e 2008 nuk sollën produktin e duhur.
Ndryshimet kushtetuese
Ishte presidenti Nishani i pari, i cili shprehu mendimin se Kushtetuta ka nevojë për ndryshime. Ai tha se duhen bërë ndryshime, por të jenë të mirëmenduara dhe me kohën e mjaftueshme. Kryeministri Edi Rama ka thënë se ndryshimet do të bëhen me gjithpërfshirje. “Në çdo rast, çdo ndërhyrje në Kushtetutë, pavarësisht se nuk përbën një sakrilegji në vetvete, imponon domosdoshmërisht që në funksion të stabilitetit dhe të forcimit të rendit kushtetues, gjithpërfshirja të jetë koncepti bazë dhe më fillestar i saj. Nuk mundet kurrsesi që një proces i tillë, të jetë një proces partiak dhe i njëanshëm. Padyshim edhe në qoftë një proces politikisht i gjithanshëm, kjo është e pamjaftueshme kur flasim për Kushtetutën e një vendi, në jetën e një vendi ku partitë politike përfaqësojnë shumëçka, por kurrsesi nuk përfaqësojnë gjithçka”, tha Kryeministri, Edi Rama.
Po ashtu, Ilir Meta, ka kujtuar ndryshimet e vitit 2008 dhe ka theksuar se nuk duhet të ndërhyhet brenda natës. “Viti 2008, me ndryshimet rrufe të një pjese të konsiderueshme të Kushtetutës edhe nëse ishin me një frymë të re, prodhoi një frymë kundër frymës së këtij dokumenti, cenoi raportet mes pushteteve, dëmtoi parimin e kontrollit dhe balancës dhe mbi te gjitha dha një mesazh të gabuar, që në Kushtetutë mund të ndërhyhej brenda natës. Është e vërtetë se Kushtetuta nuk është tabu, është e vërtetë se si një trup i gjallë asaj i duhet herë pas here të përshtatet me mjedisin e ri politik, ekonomik, social dhe kulturor të vendit, por një gjë e tillë duhej bërë dhe duhet bërë nëse është e domosdoshme, përmes një procesi të gjerë dhe të besueshëm, transparent e publik me ekspertizën më të mirë vendase dhe të huaj”, tha kryetari i Parlamentit, Ilir Meta.
Bujar Nishani
Garanti i Kushtetutës, Presidenti i Republikës Bujar Nishani, kërkoi që ndryshmet në Kushtetutë të mos bëhen sipas interesave politike. “Mendoj se në kuadrin e aderimit në Bashkimin Europian do të duhet të përgatitemi për modifikime të reja kushtetuese, të cilat vijnë në përputhje me shpirtin të kthimit në anëtar me të drejta të plota të Shqipërisë në BE. Pikat të cilat mund të parashtroheshin për rishikim në Kushtetutën e Shqipërisë, siç ka ndodhur tashmë në të gjitha vendet anëtare të BE-së, do të konsistonin në një kufizim i sovranitetit kombëtar, me anë të njohjes së institucioneve të BE-së, për të adoptuar akte normative për shtetet anëtare. Pra Parlamenti shqiptar nuk do të jetë i vetmi institucion ligjbërës”, tha Presidenti Bujar Nishani.
Edi Rama
“Sot, ne jemi në kushtet kur vendi përpiqet përditë për t’u integruar në BE dhe pas 15 vjetësh kur integrimi imponon tërësi, standarde, e sjellë që shpesh bien ndesh me ato që ne i kemi pjesë të vazhdimësisë sonë, pyetja që a duhet apo jo të rishikohet Kushtetua është insistuese. Por eksperienca na ka mësuar si t’i qasemi kësaj pyetje dhe përgjigjen të mos e gjejmë te vullneti i forcave politike, por te gjithëpërfshirja e aktorëve dhe faktorëve shoqërore dhe vetë sistemi që garanton integritetin e Kushtetutës. Stabiliteti i saj është parakusht për rendin kushtetues të vendit dhe në çdo rast, çdo ndërhyrje në të, imponon domosdoshmërisht që në funksion të stabilitetit dhe forcimit të rendit kushtetues, gjithëpërfshirja të jetë koncepti bazë e më fillestar i kësaj. Nuk mundet që procesi të jetë partiak, e aq më pak i njëanshëm” tha Rama.
Ilir Meta
“Sot kemi arsye për të gjykuar për mënyrën sesi jemi sjellë me Kushtetutën e vendit. Politika ka pasur konfliktet e saj të brendshme me këtë dokument themelor të Republikës, edhe gjatë viteve të fundit. Në Kushtetutë mund të ndërhyhej edhe brenda një natë të vetme. Kushtetuta nuk është tabu, asaj i duhet të përshtatet me mjedisin social, ekonomik e politik të vendit. Dinamikat e vazhdueshme në qeverisje, moria e problematikave të shtruara për zgjidhje, janë një nevojë për gjetjen e zgjidhjeve të reja. Dhe Kushtetuta e vendit është e një rëndësie të veçantë. Ne e kemi pjekurinë e nevojshme për të pasur një qasje të duhur ndaj Kushtetutës. Ndërsa sa i takon ndërhyrjeve, duhet të shihet nëse ato janë të domosdoshme”, tha Meta.
Ndryshimet në Kushtetutë
Përtej ndryshimeve të vitit 2008, Kushtetuta shqiptare ka ndryshuar në vitin 2007 për shtimin e numrit të anëtarëve të KQZ dhe mandatin e drejtuesve lokale, ndërkohë që në vitin 2012, ligji themeltar i shtetit, ndryshoi për të kufizuar imunitetin e zyrtarëve të lartë.