Janusz Korczak pediatër dhe pedagog, autor librash për fëmijë dhe luftëtar për të drejtat e fëmijëve në 1942 shoqëroi vullnetarisht në kampin e shfarosjes, jetimët nga jetimorja e getos së Varshavës
Më 5 gusht 1942, herët në mëngjes, ushtarët “SS” zbrazën jetimoren e drejtuar prej Janusz Korczak në geton e Varshavës. Ai udhëhiqte të 200 fëmijët që kishte marrë në mbrojtje për në sheshin Verlade, nga ku ata u deportuan për në Treblinka. Mjeku polako-hebre, ndonëse kishte mundësinë t’i shpëtonte vdekjes, i refuzoi të gjitha ofertat për ndihmë nga të njohurit dhe miqtë, sepse nuk donte t’i linte fëmijët në baltë. Në fund ai vetë i bindi ushtarët “SS” që ta lejonin të shkonte me fëmijët.
“Në të gjitha getot hebreje në Poloninë e pushtuar prej Hitlerit, edukatorët, mësuesit dhe mjekët shkuan drejt vdekjes bashkë me fëmijët që u ishin besuar atyre”, shpjegon biografja e Korczak, Joanna Olczak Roniker në një bisedë për “Deutschen Welle”.
Hebre dhe polak njëkohësisht
Në biografinë e Korczak botuar në vitin 2012, në Gjermani, autorja zbulon fytyrën njerëzore pas mitit të martirit. “Korczak do të ishte indinjuar po ta kishin shpallur shenjtor. Sepse vajtja e guximshme e tij drejt vdekjes me fëmijët do ta kishte spostuar në hije të gjithë jetën e tij të guximshme”, thotë ajo. Shkrimtarja dhe skenaristja polake e ka njohur Korczak-un në fëmijërinë e saj. Ai kishte miqësi me gjyshin e gjyshen e saj, dy botues nga Krakovi. Nëna e saj pak pas luftës ka shkruar librin e parë për Korczak-un për të dokumentuar heroizmin e tij.
Janusz Korczak u lind me emrin Henryk Goldschmidt në një familje të kamur hebrejsh në Varshavë. Goldschmidt-ët asnjëherë nuk u shkëputën nga hebraizmi dhe jetonin me besimin, se mund të jesh njëkohësisht hebre dhe polak. Këtë bindje kishte edhe Janusz Korczak. Ai studioi mjekësi dhe më vonë u bë një mjek pediatër i njohur. Shumë shpejt atij iu desh të kudjesej për të mbajtur familjen, sepse babai u shtrua në psikiatri. Mjeku i ri nisi të shkruajë romane për fëmijë. “Ai e njihte frikën dhe vuajtjet e fëmijëve nga përvoja e vet. Këtë dije ai donte t’ua transmetonte edhe prindërve”, shpjegon biografja Joanna Olczak-Roniker.
Në 1912-ën ai mori përsipër drejtimin e një jetimoreje të ndërtuar sipas planeve të tij në Varshavë. Kjo jetimore shumë shpejt tërhoqi pedagogë refomatorë. Jetimët e tij ishin më të gëzuar se fëmijët e jetimoreve të tjera, sepse Korczak i kushtonte vëmendje të veçntë trajtimit të tyre. Ai u stimulonte atyre individualitetin dhe i refuzonte dënimet me rrajhe, stërvitje me detyrim dhe imponimin.
Dashuri e pakompromis ndaj fëmijëve
Korczak insistonte para së gjithash që të respektoheshin të drejta e fëmijëve, me përkushtim aktiv dhe pozitiv dhe për ngrohtësi njerëzore. Me këtë ai hodhi një gur themeltar për të drejtat e sotme të fëmijëve, të përcaktuara në Konventën e OKB-së për të Drejtat e Fëmijëve. Në vitet 1930, nën pseudonimin “Doktori i vjetër” ai moderonte në radion polake një emision në të cilin fliste me fëmijët për fëmijët.
Në jetimoren e Varshavës në rrugën “Krochmalna Korczak” i vinte në jetë idetë e tij pedagogjike. Këtu u krijua modeli i një republike të vetëadministruar demokratike të fëmijëve me një parlament të fëmijëve dhe me një gjyq fëmijësh, ku ata vetë vendosnin për dënimet dhe shfajësimet. Në jetimoren e Korczak shtypej edhe gazeta e parë e përshtatur për fëmijë: “Mały przegląd”. Mbi ndërtesën me ngjyrë të çelët valëvitej flamuri i gjelbër i “republikës së fëmiëjve”.
Kur nazistët deportuan Korczakun dhe fëmijët e tij nga getoja, rrugës drejt kampit të shfarosjes, pianisti dhe kompozitori hebre Wlasyslaw Szpilman ishte dëshmitar okular. Në kujtimet e tij ai shkruan për mjekun që u jepte guxim fëmijëve: “Jemi duke shkuar në fshat, një rast për t’u gëzuar…”, u thoshte Korczak fëmijëve.