Kombet e Bashkuara caktuan 21 marsin si ditën ndërkombëtare kundër diskriminimit racor. Në këtë ditë, në botë organizohen evente të ndryshme me në fokus problemet e racizmit. Nuk mungon apeli që programe të posaçme të zhvillohen në shkolla dhe ambientet e punës për të rritur ndërgjegjësimin rreth këtij fenomeni shqetësues
Dje ishte Dita Botërore kundër Racizmit. Si ngjarje historike ajo shënon masakrën e Sharpvillit në Afrikën e Jugut, ku më 21 mars të 1960-s, policia qëlloi kundër manifestuesve që protestonin kundër regjimit të aparteidit. 69 qytetarë humbën jetën dhe shumë të tjerë, duke përfshirë gra dhe fëmijë u plagosën. Tragjedia e Sharpvillit solli një valë revolte në të gjithë botën duke e shpallur 21 marsin si “Ditën botërore kundër eliminimit dhe diskriminimit racial”. Janë tepër të rralla historitë që kanë në qendër këtë fenomen e të bëjnë të buzëqeshësh dhe kjo që vijon është një ndër të paktat:
Gjatë fluturimit të “British Airways-FR112” nga Johanesburgu drejt Londrës, një grua e bardhë rreth të 50-ave, ulet në avion në klasin ekonomik, përbri një burri me ngjyrë. Shumë e turbulluar i bën me shenjë stjuardesës. Kur vajza i afrohet, zonja shumë e indinjuar i hakërrehet: “Më keni ulur ngjitur me një të zi! Nuk duroj dot të rri e ulur këtu! Më gjeni një vend tjetër”. Dhe stjuardesa mundohet ta qetësojë duke i thënë se të gjitha vendet janë të zëna, por do të shihte mos kishte ndonjë të lirë në klaset e tjera. Disa minuta më vonë, ajo kthehet dhe i thotë: “Zonjë, fola me komandantin dhe më konfirmoi se nuk ka asnjë vend të lirë as në klasin ekonomik dhe as në atë ekzekutiv. Ka mbetur vetëm një vend në klasin e parë”. Para se gruaja të mund të komentonte, stjuardesa shtoi: “E dini, është e pazakontë për kompaninë tonë të lejojë që një person me biletë të klasit ekonomik të ulet në seksionin e klasit të parë. Por, duke parë rrethanat, komandanti mendoi se do të ishte një skandal që të detyrojmë dikë që të ulet afër një njeriu kaq të pakëndshëm”. Dhe duke iu kthyer burrit, i cili gjatë gjithë kohës kishte qëndruar në heshtje duke dëgjuar ofendimet e zonjës, vajza thotë: “Zotëri nëse dëshironi, mund të merrni valixhen dhe të uleni në vendin e lirë, klasi i parë ju pret”. Pasagjerët e tjerë, dëshmitarë të sjelljes së zonjës, duartrokitën.
Në vitet e fundit është dëshmuar një rritje të rasteve të urrejtjes ndër-raciale, paragjykimeve dhe stereotipeve të lidhura pjesërisht me terrorizmin dhe emigrimin. Më të goditurit nga format e racizmit dhe diskriminimit janë njerëzit që i përkasin minoritetit rom, të ardhurit nga vendet e Lindjes dhe ata me ngjyrë. Ky shqetësim është në qendër edhe të dokumentit të përbashkët të tre organizatave kryesore të të drejtave të njeriut në Evorpë: Agjencia Evropiane për të Drejtat Themelore, Komisioni Evropian kundër Racizmit dhe Intolerancës dhe ODIHR (Zyra për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut). “Jemi të shqetësuar, – shkruhet në një raport të tre agjencive evropiane, – për faktin që kriza aktuale ekonomike ka filluar ta ushqejë racizmin dhe intolerancën në një pjesë të madhe të shteteve evropiane”. Vrasjet dhe të gjitha format e dhunës po përhapen në Evropë si kanceri që për fat të keq nuk i është gjetur ende kura. Prandaj është e domosdoshme që në këtë ditë të reflektojmë të gjithë. Janë të rëndësishme manifestimet, koncertet dhe nismat kulturore për të sensibilizuar të rinjtë, por mbi të gjitha është e rëndësishme edhe gjetja e metodave dhe mjeteve efektive që e kundërshtojnë këtë fenomen. Shoqëria duhet të përgatitet për çështjet e multi-etnicitetit, interkulturalizmit e respektit për diversitetin, duke filluar me ndërhyrjet në shkolla dhe vendet e punës, që diskriminimi të luftohet duke përhapur njohuri dhe informacion mbi atë që është e ndryshme.
Përgatiti: Dorina Gjuzi