Zoti Vajgl…! Paragjykimi juaj për luftëtarët shqiptar të “Betejës së Kumanovës” përbën një akuzë, sa absurde dhe provokuese, po aq edhe anti-shqiptare dhe edhe pro-sllave. Unë që po iu drejtohem me këtë letër të hapur jam një veprimtar i çështjes kombëtare për Shqipërinë Etnike, që nga viti 1978, dhe po iu them se, origjina ime familjare ka qenë dhe është e konfesionit mysliman, por edhe unë, ashtu si pjesa dërrmuese e patriotëve shqiptarë, që nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit (10 Qershor 1879) e deri më sot, jam udhëhequr dhe vazhdoj të udhëhiqem nga filozofia politike kombëtare shqiptare: “Feja e shqiptarit është shqiptaria!”. Feja dhe ideologjia ime ka qenë dhe është Shqipëria Etnike.
Zoti Vajgl…! Shqiptarët janë kombi i vetëm në Botë që në gjirin e tij i kanë 4 (katër) konfesione: Katolikë, Ortodoksë, Myslimanë dhe Bektashinj, të cilët historikisht kanë bashkëjetuar e bashkëjetojnë në harmoni të plotë. Madje, i bindur se ju nuk e dini, po ua rikujtoj se Kryegjyshata Botërore e Bektashinjve gjendet në Tiranë. Pse ndodh kështu me ne shqiptarët?! Sepse, ne shqiptarët e dimë se, fjalën e parë që e themi, kur sapo fillojmë të flasim, është fjala “nënë” në shqip, dhe jo ndryshe, në ndonjë gjuhë të huaj, qoftë ajo sllavo-greke (ortodoksët), italiane (katolikët), apo arabo-turke (myslimanët). Pra, për ne shqiptarët feja është ideologji që, ashtu si çdo ideologji politike që mundet të ndryshohet, edhe feja mundet të ndryshohet, por asnjëherë nuk mundet të ndryshohet kombësia, për ne shqiptarët – Kombësia Shqiptare.
Zoti Vajgl…! Shumicën dërrmuese të luftëtarëve të lirisë, pjesëmarrës në “Betejën e Kumanovës”, i kam njohur edhe personalisht, dhe me përgjegjësinë më të lartë morale e politike iu garantoj se, pavarësisht se janë me origjinë familjare të konfesionit mysliman, të gjithë ata e kanë ditur dhe e dinë se kur kanë lindur, kanë lindur shqiptarë. Ganiun, babanë e njërit nga të arrestuarit nga sllavo-maqedonasit, babën e Enver Klein, e kam njohur para dy dekadash dhe e kam pasur bashkëveprimtar në Gjermani, ku jetonte e vepronte patrioti Gani…, tanimë i ndjerë, i cili ishte i martuar me grua gjermane dhe nga kjo martesë kishin dy djem: Enverin dhe Fadilin, të cilët kishin marrë mbiemrin e nënës së tyre: Klein, që në shqip do të thotë: I Vogël. Lavdi e përjetshme dëshmorëve të kombit shqiptar, të rënë në Betejën e Kumanovës…! Ju qoftë i lehtë dheu i Shqipërisë Etnike…!
Letër e nënshkruar,
Gafurr Adili