Pasditen e 14 gushtit 2012 mora një telefonatë nga Prof. James Pettifer. Biseda, pa ato fjalët parazite hyrëse “Hello, How are you?”, ishte kjo:
– Jam në Tiranë. Mund të takohemi pas ndonjë ore në Tirana International?
– Po, – iu përgjigja. – Në 18 e 30 do të jem aty…
Përgjithësisht, miqtë e mi anglezë James Pettifer dhe Miranda Vickers më njoftojnë të paktën një muaj më përpara për çdo vizitë të pritshme në Tiranë. Më caktojnë po kështu një muaj e ca më përpara vendin dhe orën e takimit. Pimë ndonjë kafe në Rogner apo Hotel Tirana e bisedojmë punë përkthimesh dhe projekte librash që ata shkruajnë për historinë e shqiptarëve kudo që jetojnë, për kulturën e traditat, për çështjen çame, për Kosovën. Për krizën greke dhe deri te zhvillimet aktuale politike në Ballkan…
Sidoqoftë, vizita e Xhejmsit në Tiranë këtë radhë ishte e papritur për mua dhe ndërsa udhëtoja me autobusin urban drejt 15-katëshit përpiqesha të hamendësoja se ç’arsye madhore e kishte shtyrë atë mesgushti Xhejmsin të fluturonte nga Londra në Tiranë pa asnjë paralajmërim, ndërkohë që situata politike ishte thuajse e vdekur…
Mbërrita dy minuta përpara te 15 katëshi dhe ndeza një cigare te hyrja kryesore në pritje të mikut anglez. Fiks në orën 18 e 30 dy metra para meje ndaloi një taksi nga e cila pashë të zbriste me mundim Xhejmsi. Ai prej më shumë se një viti vuante nga një problem në këmbën e majtë, e cila i shkaktonte dhimbje të forta dhe e bënte të çalonte. Pasi zbriti nga taksia, bëri nja dy hapa të mundimshëm deri tek shkallët dhe, pastaj, duke u mbajtur me duar tek bordura e ulët, ashtu krejtësisht i përkulur, i ngjiti ngadalë ato 4-5 shkallë…
Mua më kapi një siklet i jashtëzakonshëm dhe në vend të përshëndetjes, iu zbraza:
– Po pse ke ardhur në këtë gjendje? Nuk kemi aq shumë halle sa të vish ti e të na i zgjidhësh…
I mësuar me batutat e mia, këtë radhë thuajse nuk reagoi fare. Më bëri shenjë të shkoja drejt hollit dhe aty u ulëm në tryezën e parë pranë derës që ishte e lirë. Pasi u ul në kolltuk dhe drejtoi me vështirësi këmbën e lënduar, unë i përsërita thuajse të njëjtën pyetje me nota qortuese:
– Po pse je mundur në këtë gjendje? Ju as më kishit njoftuar për këtë vizitë…
Xhejmsi psherëtiu dhe më pa në sy me një dhimbje që nuk ia kisha parë asnjëherë. Pastaj më tha copë me sy thuajse të përlotur:
– Eh, erdha papritmas. Mora vesh se Arbën Xhaferi është në gjendje kome. Lashë çdo punë dhe u nisa. Sapo jam kthyer nga Shkupi. Shkova drejt e në spitalin ku ishte shtruar. Nuk komunikova dot me të. Fola vetëm me vëllain e tij dhe familjarët… Arbën Xhaferi është politikani shqiptar më i mirë që kam njohur gjatë këtyre njëzet viteve. Idetë dhe vizioni i tij për çështjen shqiptare në veçanti dhe për Ballkanin në përgjithësi më kanë ndihmuar shumë në punën time…
Më preku ky tregim i Xhejmsit. Mandej, pasi kamerieri kishte sjellë kafe dhe ujë, nga një qese plastmasi ai nxori disa gazeta të ditës në gjuhën shqipe që dalin në Maqedoni dhe m’u lut të përktheja ato që shkruheshin për gjendjen shëndetësore të Arbën Xhaferit. Më ndiqte me vëmendje për të kapur ndonjë nuancë shprese për politikanin e njohur shqiptar…
Pas ndonjë ore u ndamë.
Të nesërmen, u dha njoftimi se Arbën Xhaferi ishte ndarë nga jeta…
Duke lexuar shkrimin per te paharruarin Arben Xhaferi ,por dhe duke u pajtuar me vleresimin e bere nga z. Xhejms , nuk di pse mu kujtuan vargjet “…..vdiq Naimi , vdiq Naimi moj e mjera Shqiperi , vdiq Naimi po kush mbeti ……?????!!!!!
Eshte per te ardhur keq, qe politikanet qe drejtojne sote jo vetem shqiperine , por gjithe trevat shqiptare jane ndene nivelin mesatar te intelektualeve te ketij kombi.
Vdiq Naimi, vdiq Naimi, moj e mjera Shqiperi, por ka mbetur xha Saliu, qe te zhyti nje skllaveri.
Vdiq dhe Arber Xhaferi, nje figure e ndjere shume, qe nuk di het nga I erdhi, kaq shpejte vdekja, si ne gjume….
Nje miku im me rastin e 100-vjetorit te Pavaresise kishte shkruar nje nje vjershe e cila me pelqeu dhe I rekumandova ta botonte
Strofa e pare me ka mbetur ne kujtese:
Shqiponje e Evropes Plake,
Fluturone kerkon folene.
Ta kane shqyer ca pirate,
Ca hajdut e ca legen…..
Ta shiten detin me nafte…..
E dergova – me tha shoku -por nuk ma botuan.
Le te shpresojme te RINDERTIMI I Folese!