Mësuesit e shkollave të mesme do të kenë më shumë kohë në dispozicion për të plotësuar në sistemin informatik të dhënat e plota mbi pikët e notës mesatare që i korrespondojnë çdo maturanti që kërkon të aplikojë për vijimin e studimeve të larta në një nga fakultetet publike të vendit përmes Maturës Shtetërore 2013. Nisur nga kërkesat e Drejtorive Arsimore, si dhe drejtorive të shkollave të mesme, Ministria e Arsimit ka nxjerrë urdhrin për shtyrjen e afateve të përfundimit të procesit të regjistrimit në sistemin informatik të pikëve mesatare (apo notave mesatare) të maturantëve dhe kandidatëve të tjerë që do konkurrojnë për të vijuar studimet e larta gjatë vitit të ri akademik. Sipas ndryshimeve të bëra hedhja e të dhënave nga shkollat e mesme do të vijojë deri në mesin e javës së ardhshme. “Afati i përfundimit të këtij procesi do të shtyhet deri ditën e mërkurë, datë 24 korrik ora 16.00.
Përsa i përket procedurave teknike dhe administrative mbetet në fuqi udhëzimi i dërguar para disa ditësh pranë Drejtorive dhe Zyrave Arsimore”, detajojnë burimet zyrtare të Ministrisë së Arsimit. Në këto kushte secili maturant që dëshiron të konkurrojë në garën e pranimit në institucionet publike të arsimit të lartë, nëpërmjet Parimit Meritë-Preferencë, duhet së pari, pranë zyrave të Postës Shqiptare apo Bankave të nivelit të dytë të kryejë pagesën e tarifës së aplikimit të formularit A2 prej 2000 lekësh. Faturën për arkëtim për këtë pagesë shkarkohet në faqen zyrtare të Agjencisë Kombëtare të Provimeve në rubrikën “Njoftime”, në të cilën gjendet edhe mandati i pagesës së formularit. Maturanti fiton të drejtën për të marrë pjesë në garën konkurruese për pranimet në universitete vetëm në rastet kur ka shlyer këtë pagesë. “Me mandatin e pagesës për aplikim të formularit A2 maturanti, si dhe kandidatët e tjerë që i bashkohen garës duhet të paraqiten pranë shkollës së tyre ku dhe bëjnë dorëzimin e këtij dokumenti.
Përmes këtij veprimi duhet të sigurohet që edhe përfaqësuesja e shkollës të hedhë në sistem pikët apo notën mesatare të viteve të gjimnazit. Pas kryerjes së këtij procesi maturanti ka të drejtën dhe mundësinë që të plotësojë online formularin A2 për Maturën Shtetërore 2013 në ditën e përcaktuar”, zyrtarizohet më tej nga MASH. Sipas deklarimeve të bëra më parë afati i plotësimit të formularit A2, në të cilin maturanti liston dhjetë degët në të cilat do të vijojë studimet e larta gjatë vitit të ri akademik parashikohet të nisë rreth datës 21 korrik. Megjithatë do të jetë Agjencia Kombëtare e Provimeve ajo që do të shpalle të plotë kalendarin e afateve që maturantët do kenë në dispozicion për të detajuar dhe regjistruar preferencat për ndjekjen e shkollës së lartë.
Maturantët që nuk kanë shlyer pagesën përkatëse dhe për rrjedhojë nuk kanë në sistem pikët mesatare nuk lejohen nga sistemi informatik që të plotësojnë online formularin A2. E njëjta gjë do të ndodhë dhe për maturantët që rezultojnë mbetës në të paktën njërin prej provimeve të Maturës Shtetërore. Këta të fundit duhet që detyrimisht më parë të shlyejnë provimet e mbetura gjatë sezonit të vjeshtës, dhe vetëm më pas do të mund t’i nënshtrohen garës së pranimeve në universitete.
Kujdes me degët që ndodhen në universitetet e rretheve !
Gjatë plotësimit të formularit A-2 shikoni me kujdes secilin program studimi, sepse për universitete të ndryshme për disa nga programet e studimit shënohen në kllapa filialet e qyteteve në të cilat zhvillohen këto programe studimi, si dhe kohëzgjatja e studimeve për programe të caktuara. Përpiquni të matni forcat tuaja dhe të zgjidhni programe studimi ku keni probabilitet më të madh të fitoni. Kjo realizohet duke krahasuar pikët tuaja të grumbulluara me pikët e fituesit të fundit në 3-4 vjetët paraardhëse për secilin program studimi të përzgjedhur nga ana juaj. Pikët e fituesit të fundit për të gjitha programet e studimit mund t’i gjeni të publikuara në faqen zyrtare të internetit të MASH-it www.mash.gov.al.
Dhjetë janë mundësitë që maturantët kanë në dispozicion për të siguruar një të drejtë studimi në universitetet publike gjatë vitit të ri akademik 2013-2014, renditja e të cilave detajohet gjatë plotësimit të formularit A2 online. Maturantët duhet të tregohen të vëmendshëm në caktimin e drejtë të programeve akademike ku duan të vijojnë studimet e larta gjatë vitit të ardhshëm. Specialistët hartues të Maturës Shtetërore tregojnë se përzgjedhja e drejtë mund të bëhet vetëm pasi maturantët të jenë konsultuar më parë me elementet përbërëse të procedurës së përllogaritjes që ndiqet për rezultatin final, duke studiuar me kujdes llojet e koeficienteve me të cilat janë vlerësuar lëndët me zgjedhje nga të gjitha universitetet. Pas kësaj, në bazë të pikëve që do të grumbullojnë në sistemin meritë-preferencë, ata do të jenë në gjendje të përcaktojnë ato degë që mund t’i shpallin fitues sipas renditjes që kanë bërë në formularin A-2.
Ku shpalleni fitues
Paketa informuese për renditjen e degëve në formularin A-2 vë në dukje se ndodh shpesh që maturanti-kandidat mund të arrijë nivelin e fituesit në disa programe studimi të përzgjedhura prej tij (10 preferencat e renditura në formularin A2) . “Por pavarësisht kësaj theksohet se ai shpallet fitues në preferencën më të lartë (të sipërme) të këtij grupi. Kjo është arsyeja që në plotësimin e formularit A-2 është shumë e rëndësishme jo vetëm përzgjedhja e programeve të studimit (preferencat), por dhe renditja e tyre prioritare”, – saktësohet në udhëzuesin për renditjen e programeve ku maturanti duhet të vijojë studimet e larta. Në përmbajtje të formularit për këtë vit janë rreth 325 programe universitare në të cilat rreth 40 mijë maturantë do të konkurrojnë me pikët e maturës për të fituar një të drejtë studimi në universitetet publike.