Përse të persekutuarit e të burgosurit e kohës së diktaturës pengohen nga qeveria Berisha për të luajtur rolin që u takon për vendosjen reale të demokracisë në vend, për të cilën jo pak syresh humbën edhe jetën? Ata pengohen sepse kurajoja fillestare e këtyre njerëzve për të qënë idealist, për të krijuar dhe rendur pas vizioneve demokratike është kongenitale. Që do të thotë se idealet dhe kurajua e tyre nuk lindën në zyrat e PPSH, (sic lindi kurajoja e Berishës) por vinin të trashëguara brez pas brezi; dhe se ata nuk dolën në sheshet e protestave nga bodrumet misterioze të ngrehinave zyrtare të PPSH, por dolën nga burgjet e komunizmit. Cfare taktike ka aplikuar pushteti në fuqi për ta futur në spiralen e heshtjes përkushtimin e shtresës së të përndjekurve dhe të burgosurve politikë ndaj atdheut? Ai ka ndjekur taktikën e përdredhjes, ngushtimit, mpirjes së ndjenjave të atdhedashurisë së tyre deri sa ato të shëmben në harresë. Disa nga teknikat e zbatuara janë: sjellja hipokrite dhe abuziviste ndaj të përndjekurve sa herë është fjala për pjesmarjen e tyre të gjërë në organet e zgjedhura të pushtetit qendror dhe atij vendor. Moskompensimi i shpejtë dhe i plotë material. Mosrespektimi i statusit të ish të përndjekurit. Mosngritja e një institucion europian të kujtesës historike që të bëjë të aksesueshme për publikun historinë e persekucionit të tyre, etj. Dhe, kjo strategji hakmarrëse 22 vjecare ka prishur, me drapër dhe cekan, ekuilibrin e forcave social-politike brënda tre kolonave kryesore të pushtetit postdiktatorial. E për pasojë rrezikon të shkërmoqë tërë konstruksionin social shqiptar. Ky rrezik është pjesë e gjëndjes komplekse dhe të mjerueshme në të cilën ndodhet sot Shqipëria. Por a’është e mjaftueshme atdhedashuria e ish të përndjekurve; a’është e mjaftueshme atdhedashuria e së djathtës; a’është e mjaftueshme atdhedashuria e së majtës – për të dalë në udhë të mbarë? Fatkeqësisht që as vec e vec dhe as e marë së bashku dashuria për atdhe nuk mjafton. Nuk mjafton sepse atdheut tonë i mungon “fuqia tjetërsuese”. I mungon ajo gjëndje shoqërisht e domosdoshme për të prodhuar dhe për të shërbyer. I mungon puna. Në një shtet ku ka 1 milion të papunë, pra ku rreth 40% e popullsisë nuk punon, dhe ku pjesa tjetër ajo e punësuar bën sikur punon, a ka vend që të flitet vetëm për atdhedashuri? Berisha që nuk e ka provuar papunësinë thotë – po. Ata që e kanë provuar e po e provojnë thonë – jo. Në përfundim. Le të ngrihemi të gjithë mbi marrëzinë tonë tradicionale e të sigurojmë trimërisht – punë për të gjithë.
Nasho Bakalli