Për vitin 2012, presidenti i SHBA-së deklaroi se kishte të ardhura prej 608.611 dollarësh, mbi të cilat kishte paguar 18.4% taksa federale. Ndërsa ai i Rusisë, deklaroi se dispononte vetëm 140 mijë euro, sa gjysma e të ardhurave të zëdhënësit të tij, Dimitri Peskov, i cili pati deklaruar 270 mijë euro
Deklarimet e pasurive e më të fuqishmëve të botës, mund të rezervojnë surpriza të vërteta. I tillë është rasti i familjes Obama, së cilës, që kur është shpërngulur në Shtëpinë e Bardhë i janë reduktuar të ardhurat, si dhe ai i presidentit rus, Vladimir Putin, të ardhurat e të cilit rezultojnë më të ulëta se ato të shefit të zyrës së shtypit të presidencës, Dimitri Peskov.
Për vitin 2012, Barak Obama ka deklaruar 608.611 dollarë, ndërkohë që paga e presidentit të SHBA-së është 400.000 dollarë në vit. Lideri amerikan ka paguar 18.4% taksa federale mbi fitimet e tij, të barazvlefshme me 112.214 dollarë. Gjithashtu ai ka paguar edhe 29.450 dollarë taksa shtetërore në Ilinois, si banor i këtij shteti. Ka qenë vetë administrata Obama, ajo që i ka bërë publike këto të dhëna, duke nënvizuar sesi 24.6% të fitimeve të presidentit (rreth 150.034 dollarë) kanë shkuar për bamirësi, duke financuar 33 organizata të ndryshme.
Fitimet e Familjes së Parë të Shteteve të Bashkuara kanë rënë në krahasim me 789.674 dollarë të deklaruara në vitin 2011, kur Barak dhe Mishelë, paguan rreth 162.000 dollarë taksa. Ajo që bie më shumë në sy është se që nga viti 2009, kursimet e familjes presidenciale janë në rënie konstante. Gjatë 2010-s ajo deklaroi 1.7 milionë dollarë, në pjesën më të madhe të fituara nga shitja e librave të shkruara nga presidenti, ndërsa në 2009-n, viti i parë në Shtëpinë e Bardhë e gjeti familjen me 5.5 milionë dollarë kursime.
Zv/presidenti Xho Bajden dhe bashkëshortja e tij, vitin e kaluar deklaruan se dispononin rreth 385.000 dollarë dhe se kishin paguar 87.851 taksa federale, plus taksat shtetërore të Virxhinias prej 3.593 dollarësh. Edhe çifti Bajden ka dhuruar pjesë të të ardhurave për bamirësi, diku te 7.190 dollarë.
Shumë më pak ka në llogaritë e tij Putini, të paktën sipas deklarimit të tij të pasurisë gjatë 2012-s kishte të ardhura prej 5.7 milionë rubla, të barazvlefshme me 140.000 euro. Drejtuesit e shtetit rus i kanë bërë publike pasuritë e tyre në faqen e internetit të Kremlinit, një detyrim i imponuar vitin e kaluar. Ajo që të habit më shumë është se presidenti është “më i varfër” se zëdhënësi, Dimitri Peskov, i cili ka deklaruar se të ardhurat e tij dhe të bashkëshortes arrijnë në 11.1 milionë rubla, përafërsisht 270.000 euro.
Në dukje, më i pasuri i qeverisë së Moskës është zëvendëskryeministri, Igor Shuvlavov, i cili ka bërë publike pasurinë familjare që arrin në 448.4 milionë rubla (afërsisht 11.1 milionë euro), prej të cilave gjysma i atribuohet bashkëshortes së tij. Zëdhënësi i Shivlavovit specifikoi, se ky ka sjellë në Moskë fondet monetare që deri më tani i kish të depozituara në llogaritë bankare jashtë vendit. Shumë më mbrapa mbetet kryeministri Dimitri Medvedev, i cili për 2012-n deklaroi 5.8 milionë rubla (rreth 141.000 euro). Përgatiti Dorina Gjuzi
O Dita, kontrolloji me mire materialet qe shkruani. Presidenti i SHBA eshte i perjashtuar nga taksat. Shikoni mire se cfare perfaqesojne ato pagesa qe juve pretendoni. Psh mund re jene pagesat e pasurive te patundeshme qe Presidenti zoterron, ose pagesa dhe kontribute vullnetare per probleme qe i ka menduar vete zoti president. Ju faleminderit.
Per sqarim
Pjese nga materiali i mesiperm jane marre nga “Reuters”. Me poshte keni linkun
http://www.reuters.com/article/2013/04/13/us-obama-taxes-idUSBRE93B0Y420130413