Dr. ELIDIANA CANAJ
Sipas programit të Konferencës Shkencore të Departamentit të Sociologjisë në Fakultetin e Shkencave Sociale të UT, kam realizuar një studim sociologjik për pabarazinë sociale rurale : urbane me 400 të anketuar në 12 vendbanime rurale të përfshira në 6 qarqe të vendit tone. Anketimi është zhvilluar në vendbanimet: Pezë, Fushë Prezë, Shëngjergj, Zallbastar, Vaqar (të rrethit Tiranë), Kërrnajë (Tropojë), Zdrajsh (Librazhd), Shënkoll (Lezhë), Vergo (Delvinë), Tërthore – Breg Lumi (Kukës), Kishavec dhe Shupenzë (rrethi Dibër). U angazhuan me përkushtim në anketim studente të vitit të dytë të Sociologjisë.
Nga studimi mund të pohoj se ngushtimi i dallimeve fshat : qytet jo vetëm është i mundur, por do të sjellë edhe ngushtimin e pabarazive të tjera sociale!
Në studimin që ka kryer Alwyn Young, në shkollën e ekonomisë në Londër, me titull “Pabarazia, hendeku urban-rural dhe migracioni”, mes të tjerash ka shkruar:
“Kam gjetur se hendeku urban-rural në standardet e jetesës është një burim kryesor i pabarazisë, duke përbërë 40% të pabarazisë mesatare edhe për pjesën më të madhe të variacionit ndërshtetëror në nivel të pabarazisë. Vendet me nivele jashtëzakonisht të larta të pabarazisë janë vendet ku hendeku rurale urbane është jashtëzakonisht i madh”.
(Burimi: Alwyn Young Professor of economics Department of Economics at London School of Economics and Political Science)
Studimi është realizuar me të dhëna të krijuara rrishtaz nga realizimi i anketimit në terren, me të dhëna nga informacioni “zyrtar” i njesive administrative që përfshijnë vendbanimet e të anketuarve. Janë shfrytëzuar materiale ndihmëse studimore, të dhëna zyrtare të qeverisë dhe jo vetëm si edhe programi dhe informacione nga Sociologjia Rurale.
Të anketuarit u pyetën për:
- Vlerësimin e ekonomisë së tyre familjare, burimet e të ardhurave, marrdhëniet e punës / profesionit të bujkut dhe pronës mbi tokën bujqësore,
- Vlerësimin e përfitimit të shërbimeve sociale e publike në vendbanimin e tyre
- Vlerësimin e vendbanimit të tyre rural. Gjithashtu të anketuarit dhanë përgjigje dhe opinione mbi marrëdhëniet e sjelljen në komunitetin rural
Nga studimi u arrit në përfundimin që:
– Në jetesën e banorëve ruralë të vendbanimeve të mësipërme ka varfëri!
– Varfëria eshtë edhe absolute, edhe relative edhe subjektive ,
– Ende ka mobilitet rural. Ka ikje nga fshati drejt qytetit dhe jo vetëm, diku edhe ardhje në fshatrat e mësipërm nga fshatra më të largët!
– Ka migrim sezonal!
ARSYET:
Fermat bujqësore rurale ende janë ferma autokonsumi ose ferma të mbijetesës,
Toka vazhdon të jetë mjaft e parcelizuar! Ende çdo familje e ka pronën mbi tokën në më shumë se 3-4 parcela dhe përdoret vetëm 30-40% e tokës bujqësore! Nuk shfrytëzohet e gjithë toka bujqësore si mjet pune, si objekt pune, apo si vend vetëpunësimi dhe si burimi kryesor i të ardhurave për familjet rurale. Të ardhurat nga puna në bujqësi e blegtori konsiderohen të ardhura komplementare!
Fermerët ende nuk e kanë të regjistruar, as banesën dhe, as tokën bujqësore si pasuri private familjare të ligjshme! Kjo e vërtetë pohohet nga të anketuarit dhe nga përfaqësuesit e njësive administrative, ndonëse jo vetëm…
Ende ka kushte të vështira të punës dhe të shërbimeve ndaj tokës. Ende vazhdojnë të përdoren kryesisht metoda e mjete tradicionale për punën në bujqësi. Ende ka mjaft familje rurale që paguhen me ndihmë ekonomike.
Në këto vendbanime rurale pothuajse nuk funksionon zinxhiri i agrobiznesit, dmth zinxhiri i angazhimeve në punë nga prodhimi në konsum dhe kjo nuk ndikon pozitivisht në motivimin e fermerëve për të prodhuar.
Pothuajse mungon asistenca e shërbimit të këshillimit profesional në bujqësi, ndërsa shërbimi veterinar funksionon vetëm privatisht, dmth me kërkesën dhe sipas nevojave të blegtorëve kundrejt pagesës. Fermeri duket që nuk e kërkon shërbimin këshillimor në bujqësi edhe për shkak të mendësive për punën e profesionin e bujkut, edhe për arsye ekonomike e financiare, edhe për shkak të gjendjes reale të pronës mbi tokën e punueshme bujqësore…
Ende ka probleme me cilësinë e rrugëve të transportit dhe komunikacionit.
Ka ankesa për shërbimin shëndetësor.
Pjesë apo tregues për varfërinë, është edhe niveli i arsimimit. Niveli mesatar i arsimimit të banorëve ruralë është 8 – 9 – 10 vjeçar. […] Gjendja e shkollave…
Referuar raportit të nivelit të arsimimit me varfërinë, citoj: “Në zonën rurale varfëria është afërsisht 2 herë më e lartë për çdo nivel arsimor me përjashtim të arsimit të lartë, ku nivelet e varfërisë rurale-urbane janë të barabartë”. (Burimi: Strategjia Kombëtare e fillimeve të Mileniumit, në krahasimin e varfërisë me nivelet e arsimimit”) Të bëhet kujdesi i përshtatshëm për arsimin e arsimimin dhe të ojekteve kulturore për pasurimin e jetës kulturore.
Si e vlerësoni gjendjen e ekonomisë suaj familjare?
Nga opinioni i të anketuarve gjithsej dominon vlerësimi “mirë”. Ndërsa rreth 50% e të anketuarve të grupmoshës mbi 61 vjeç, e vlerëson gjendjen e ekonomisë familjare “Mjaftueshëm mirë”.
Për vlerësimet e mësipërme mbi ekonominë e tyre familjare, duket të jenë argumentet e mëposhtme që lidhen me:
– Interesin për punën, profesionin e bujkut, pronën mbi tokën bujqësore;
– Burimet e të ardhurave, burimet financiare;
– Marrëdhëniet me tregun;
– Nivelin arsimor;
– Llojshmërinë, sasinë dhe cilësinë e shërbimeve sociale e publike që përfitojnë.
Më shumë të interesuar për punën në bujqësi janë grupmoshat nga 45 vjeç deri në moshën në prag pensioni e në moshën e pensionit të pleqërisë. Më pak të interesuarit për punën në bujqësi, për profesionin e bujkut, por edhe për pronën mbi token bujqësore janë grupmoshat e reja 26-35 vjeç (vetëm 20% e tyre pohojnë se janë shumë të interesuar)
Nga pikpamja e statusit të punësimit më shumë të interesuar për sa më sipër janë grupmoshat mbi 61 vjeç, të vetpunësuarit në bujqësi dhe të anketuarit me profesion bujk.
Një ndër arsyet e gjendjes në ekonominë familjare, sipas të anketuarve, janë marrëdhëniet e fermeëve me tregun!
Vetëm rreth 30% e të anketuarve pohojnë se shesin pak nga prodhimet e tyre bujqësore e blegtorale në treg! Ende ekonomia familjare bujqësore është ekonomi autokonsumi apo mbijetese!
Fermerët ende nuk janë përfshirë në ekonominë e tregut edhe pse toka është shndërruar në prone private familjare! Sepse ende nuk është regjistruar prona mbi token dhe pasurinë dhe nuk është siguruar dokumentimi juridik i të drejtës së pronësisë, ende prona është e parcelizuar, prodhimi është i pakët dhe me rendimente të ulta, puna dhe mjetet e punës janë ende tradicionale, kostoja e prodhimit është e lartë, ka mungesa në sistemin e kanalizimeve për kullim e vaditje. Edhe kur dalin në treg, ka ankesa për gjendjen e rrugëve dhe mjeteve të transportit. Ndjejnë nevojën e investimeve për organizimin e tregjeve rurale, krijimin e pikave të grumbullimit, magazinimit, frigoriferimit, ruajtjes sipas kushteve dhe standardeve teknike, mundësisht sa më afër prodhimit etj.
Me gjendje të tillë të fermerit në këto vendbanime edhe tregu rural është ende informal!
– Shitet pak, rast pas rasti apo në mënyrë ambulante;
– Fermeri ende ka mozaik prodhimesh,
– Prodhon me pakicë, prodhon për vetëkonsum.
– mungon zinxhiri i vlerave bujqësore e blegtorale
MARRDHËNIET AKTUALE ME TREGUN KANË SHKAQE DHE PASOJA EKONOMIKE, SOCIALE, PSIKOLOGJIKE TË NDËRSJELLA
– Të prodhosh për të shitur do të thotë “të kapërcesh” mbi karakteristikat e fermës së mbijetesës, sepse tregu kërkon prodhim me sasi, cilësi, llojshmëri të lartë. Kjo ndikon mbi rritjen e prodhimit, rritjen e të ardhurave të familjes, motivon prodhuesit. Qëllimi i prodhimit duhet t’I përgjigjet kërkesave të tregut.
– Nxit dhe ndikon në pasurimin e përsosjen e metodave, mjeteve, teknologjive e organizimit të pronës dhe të prodhimit.
– Ndikon në ngushtimin e dallimeve sociale, ekonomike, psikologjike, dhe në nivelin e jetesës mes zonave e popullsisë rurale e urbane.
– Mundëson krijimin e aktiviteteve dhe profesioneve të rinj në zonat rurale.
– Ndikon në rritjen dhe dominimin e mendësive të ekonomisë së tregut ndaj mendësive të pronarit e prodhuesit të vogël.
A ka rrugëzgjidhje? PO!
ËSHTË POZITIVE SE KA DISA PROJEKTE DHE INTERESIM TË POLITIKAVE SHTETËRORE EDHE NË NIVEL VENDOR QË DUKET TË JENË NË HARMONI ME NEVOJAT E FERMERËVE.
Problemet e mësipërme mund të zgjidhen, ndonëse jo kryesisht me angazhimin e fermerëve. Fermeri do të motivohet të prodhojë më shumë dhe do të respektojë standardet e tregut. Fermeri do të çojë prodhimet në pikat e grumbullimit që do të ngrihen afër prodhimeve bujqësore e blegtorale. Do të mundësohet edhe përpunimi i produkteve. Këto masa do të sjellin rritjen e vlerës dhe vlerës së përdorimit të produkteve bujqësore e blegtorale!
Duke sugjeruar e duke pranuar këto zgjidhje për nevojën e pikave të grumbullimit, përpunimit, ruajtjes, frigoriferimit, tregëtimit, pa e shprehur drejtpërdrejt, fermerët e pasurojnë konceptin e tyre mbi kooperimin!
Është pozitive dhe shumë e rëndësishme gjithashtu se fshati po e kërkon mendimin e specialistëve! Të anketuarit në Zdrajsh, Orenjë, Librazhd kërkojnë të kthehen specialistët, bijë e bija të fshatit se fshati ka nevojë të ndryshojë! Këto kërkesa kanë lindur nga nevoja! Por po ndryshon edhe mendimi!
Ndonëse motivi më i afërt për fermerët është dalja nga varfëria, rritja ekonomike dhe shndërrimi i ekonomive familjare e të mbijetesës apo të destinuara vetëm për autokonsum e ndonjë shitje të rastit e në mënyrë informale, fermeri do të pranojë të realizojë prodhim për të shitur.
SHERBIMET: FURNIZIMI ME UJË TË PIJSHËM DHE GJENDJA E RRUGËVE TË TRANSPORTIT
Në përgjithësi furnizimi me ujë të pijshëm është i mire në fshatrat ku eshtë marrë opinion i banorëve. Ka pohime që pothuajse në këta fshatra ka sistem ujësjellësi. Por ka ankesa për sasinë e prurjes së ujit dhe kohëzgjatjen e furnizimit me ujë në banesë. Në vendbanimet e rrethit të Tiranës veçohet Preza për furnizim më të mire me ujë të pijshëm të rrjedhshëm në banesë.
Në përgjigjet e të anketuarve gjithsej dhe sipas statusit të punësimit në % mbi vlerësimin e gjendjes së furnizimit me ujë të pijshëm në banesë si edhe për dhe për vlerësimin e gjendjes së rrugëve të transportit – dominon vlerësimi “mjaftueshëm” dhe “dobët”
SA TË KËNAQUR JENI ME VENDBANIMIN TUAJ?
Referuar përgjigjeve të të anketuarve gjithsej, pakica minimale e tyre ndihen “shumë mirë” në vendbanimin e tyre! Tek kjo pakicë përfshihen kryesisht grupmoshat 46 vjeç e lart. Ndërsa dominon vlerësimi se janë “mesatarisht të kënaqur” dhe “pak të kënaqur”.
Pavarësisht nga gjendja që rezulton, fshati duhet të mbahet i populluar!
SEPSE:
- Është mundësia e suksesshme në “luftë” kundër kequshqyerjes. Bujqësia siguron bazën e të ardhurave në ekonominë rurale dhe kombëtare!
- Nuk mund të jetë kurdoherë tregues i progresit ekonomiko-shoqëror e social kulturor, çdo ikje nga fshati, apo çdo ndryshim i raporteve demografike në favor të popullsisë urbane!
- Shoqëria rurale ruan, pasuron, mbron dhe përcjell brez pas brezi vlera të identitetit të kulturës së kombit që i përket.
- Fshati duhet të mbahet i populluar sepse, veç të tjerash, popullsia rurale lidhet ngushtë me tokën bujqësore jo vetëm historikisht. Sa më shumë të jetojnë pasardhësit në trojet dhe pronën e paraardhësve, aq më shumë do të rritet kujdesi e dashuria për punimin, mbrojtjen e pasurimin e tokës bujqësore dhe të vendbanimit (pra edhe nga pikpamja psikologjike)! Aq më shumë do të rritet mirëqenia dhe cilësia e jetës, jo vetëm për banorët e zonave rurale…
- Zonat rurale duhet të mbahen të populluara në interes dhe për nevoja ekonomike, sociale, psikologjike, shëndetësore edhe për vetë banorët ruralë! Ruajtja e popullimit të vendbanimeve rurale ndikon në ruajtjen e rritjen e socializimit të grupeve sociale apo të jetesës në komunitet!
Zgjidhja e problemeve të pozuara për reduktimin e varfërisë, për zbutjen e pabarazive sociale rurale urbane, është edhe e përgjithshme për të gjithë territorin, edhe konkrete e për njësi e kushte të veçanta!
Sipas objektivave të OKB lidhur me reduktimin e varfërisë në zonat rurale, theksohet: “Kooperativat ndihmojnë në ndërtimin e ekonomive dhe shoqërive gjithëpërfshirëse dhe mund të ndihmojnë në eliminimin e varfërisë dhe arritjen e qëllimeve të tjera të zhvillimit të qëndrueshëm (SDG)”. Kooperativat lejojnë njerëzit të krijojnë mundësitë e tyre ekonomike nëpërmjet fuqisë së kolektivit…