“Specialistët e Traumës ndihmojnë pacientët në spitalet rajonale përmes programit të telemjekësisë: Spitali Rajonal i Korçës jep shembullin e parë në këtë drejtim. Një pacient në spitalin e Korçës, i cili ka nevojë urgjente për ndihmë të specializuar mjekësore është vetëm një hap larg specialistëve në spitalet e Tiranës. Madje pacienti ndiqet me sytë dhe mendjen e mjekëve nga Qendra e Telemjekësisë në Spitalin e Traumës dhe nuk i mungon asnjë element i kujdesit mjekësor, edhe pse është me kilometra të tëra larg. Këtë praktikë e mundëson Qendra e Telemjekësisë në bashkëpunim me spitalet rajonale, ku spitali i Korçës po e shfrytëzon më së miri. Projekti i telemjekësisë zbatohet dhe funksionon në vendin tonë prej vitit 2009 dhe është mbështetur nga USAID dhe zbatohet nga një ekip i (International Virtual e-Hospital) i drejtuar nga Rifat Latifi. Sipas tij, “Teletrauma është shembulli më konkret dhe më i bukur se si ky program po e ndihmon shëndetësinë shqiptare. Është me rëndësi të jashtëzakonshme që mjekët dhe infermierët të bëhen përdorues të shpeshtë të kësaj teknologjie, sepse ne në Shqipëri po bëhemi shembull i shkëlqyer për të gjithë vendet në zhvillim, po edhe më tej”. Nëpërmjet lidhjes online mjekët e Korçës shpjegojnë situatën e pacientit, madje i tregojnë specialistëve në Tiranë edhe ekzaminimet e kryera, drejtpërdrejt nëpërmjet ekranit. Bluzat e bardha në Qendrën e Traumës japin rekomandimet e tyre dhe pasi vlerësojnë situatën e pacientit sugjerojnë që pacienti mund të marrë trajtim në spitalin e Korçës pa pasur nevojë të vijë në Tiranë. “Ky është një ndër rastet e shumta që konsultojmë me Spitalin Rajonal të Korçës nëpërmjet telemjekësisë. Ju mund ta shikoni vetë se sa efikase është të telemjeksia. Me një kohë rekord pa pasur nevojë të shpenzojmë dhamë një konsultë të specializuar”,- thekson doktor Agron Dogjani, koordinator i telemjekësisë. Sipas tij aktualisht ky sistem është funksional në Durrës, Shkodër, Kukës, Lezhë, Korçë dhe në Vlorë. Shërbimi i Neurokirurgjisë, i drejtuar nga Fatos Olldashi, dy javët e fundit ka realizuar 3 telekonsulta për pacientët e Korçës. “Shërbimi i Neurokirurgjisë së Traumës është i gatshëm që qëndrojë 24 orë në dispozicion për të pritur telekonsulta nga gjithë spitalet rajonale”, pohon Olldashi. Një nga koordinatorët e telemjekësisë në spitalin e Korçës, infermieri Ligor Golka pohon se falë këtij projekti shumë pacient arrijnë t’i konsultojnë online pa qenë nevoja t’i transferojnë drejt Tiranës. Ndërkohë Golka thekson se janë duke kërkuar që Spitali i Traumës të ketë gjithmonë një mjek specialist në dispozicion të telekonsultave edhe gjatë turneve të natës, kuptohet për rastet më urgjente.
2 Comments
Bravo! E paskan bere nje pune te mire amerikanet, se te jete per shqiptare…
me vjen keq por spitali i Korces ka lene vellane tim pa e ndihmuar e kuruar fare….