Në fillim të javës tjetër pritet që kryeministri i vendit të mbledhë Këshillin Ekonomik Kombëtar. Edhe pse axhenda e këtij takimi është ende e pazbardhur, burime kofidenciale bëjnë të ditur se pjesë e rëndësishme e kësaj mbledhje do të jenë ndryshimet e reja fiskale që biznesi do të propozojë. Edhe pse vetëm në fillim të këtij viti u miratuan ndryshimet më të mëdha fiskale, biznesi i kundërshtoi ato, duke kërkuar kohën e duhur për miratimin e tyre. Kjo ka risjellë vetëm para pak ditësh në vëmendjen e qeverisë Rama, rishikimin e këtyre ndryshimeve me qëllim përmirësimin e tyre. Madje Ministri i Financave, Shkëlqim Cani u shpreh në fillim të kësaj jave në forumin ekonomik me investitorët e huaj duke kërkuar dhe falje për mos pasjen kohë të konsultimit me biznesin, se do të jetë viti 2015 kur këto ndryshime do të rishikohen në një konsultim të gjerë me sipërmarrësit. Mësohet se kjo do të jetë një pikë e rëndësishme e diskutimit me biznesin në mbledhjen e Këshillit Ekonomik Kombëtar.
Por një pikë që pritet të diskutohet është dhe ndryshimi i ligjit për TVSH-në draft që ka nisur të bëhet që para tre vitesh dhe ku këto ditë po punohet intensivisht nga institucionet përkatëse që në mes të muajit tjetër të vijë në një formë të plotë. Të gjitha këto pritet të jenë pjesë e diskutimit me biznesin në mënyrë që të vijnë në një formë të plotë dhe të përfaqësojnë interesat e target grupeve të ndryshme të sipërmarrësve.
Mangësitë e ligjit të TVSH-së dhe përmirësimet e pritshme
Ligji aktual për TVSH ka shumë mangësi, duke nisur nga shërbimet, faturimi elektronik, tatimi për mallrat e përdorur etj., të cilat nuk i trajtonin rastet, duke detyruar administratën tatimore të nxirrte shkresa, udhëzime apo urdhra të posaçme, duke iu përmbajtur direktivave të Bashkimit Europian. Në ligjin e ri synohet të përfshihen të gjitha llojet e aktiviteteve apo shërbimeve. Për ligjin, pala shqiptare është asistuar nga francezët, që u shpallën fitues të projektit (në garë me spanjollët), të financuar nga BE, me vlerë 2 milionë euro. Me mbi 150 nene, draftligji konsiderohet një hap përpara drejt BE-së dhe direktivave të saj për taksën e TVSH-së. Ajo çfarë konsiderohet si risi ka të bëjë me trajtimin e furnizimit me shërbime, apo me shitjen e mallrave të përdorura, të cilat nuk prekeshin me ligjin e vjetër.Me furnizim shërbimesh kuptohet çdo furnizim që nuk është furnizim mallrash, përveç rasteve që në këtë ligj përcaktohet ndryshe. Kështu e nis përcaktimin neni 10 i draftligjit për TVSH, duke trajtuar për herë të parë një veçori në transaksionet e biznesit dhe individëve. Kështu, furnizimi i shërbimeve të bëra prej një të punësuari për punëdhënësin e tij për arsye të punësimit nuk është furnizim shërbimi nga i punësuari. Sikurse me “shërbime telekomunikacioni” do të kuptohet, furnizimi i shërbimeve që lidhen me transmetimin, emetimin apo recepsionin (kapjen, marrjen) e sinjaleve, fjalëve, imazheve dhe tingujve apo informacione të çdo natyre me anë të aparateve “ëire”, radios, etj. Të tjera furnizime shërbimi konsiderohen kalimi i një pasurie të patrupëzuar (jomateriale), pavarësisht nëse përfaqësohet ose jo me tituj, operacionet mbi aksionet, pjesëmarrjet në shoqëri, obligacionet dhe tituj të tjerë, të ndryshme nga ato të përcaktuara në nenin 8 të këtij ligji, si dhe operacionet e ndërtimit, kryerja e procesit të ndërtimit si dhe të mirëmbajtjes. Furnizimi i shërbimit konsiderohet i kryer kundrejt pagesës, tërësisht ose pjesërisht, nëse furnizuesi direkt a indirekt merr apo ka të drejtë të marrë pagesë në para a në natyrë, për atë furnizim, si prej personit të furnizuar apo ndonjë personi tjetër. Po kështu vlera e tatueshme e furnizimit të mallrave, është një pikë tjetër që pritet të shihet në këtë ligj. Sipas nenit 130 të këtij ligji është marzhi i realizuar nga subjekti, zvogëluar me vlerën e TVSH-së që lidhet me vetë marzhin. Marzhi i realizuar nga personi i tatueshëm është i barabartë me diferencën ndërmjet çmimit të shitjes të kërkuar nga personi i tatueshëm rishitës dhe çmimit të blerjes. Për kategori të caktuara të personave të tatueshëm rishitës, vlera e tatueshme për furnizimet e mallrave për të cilat aplikohet e njëjta tarifë TVSH-je, përbëhet prej marzhit total të realizuar për periudhën për të cilën personi i tatueshëm rishitës detyrohet të paraqesë deklaratë sipas nenit 106 të këtij ligji, zvogëluar me TVSH-në që lidhet me vetë marzhin total. Marzhi total është diferenca ndërmjet vlerës totale të furnizimeve me vlerën totale të blerjeve të mallrave që i nënshtrohen këtij regjimi, të kryera gjatë çdo periudhe për të cilën personi i tatueshëm rishitës detyrohet të deklarojë. Nëse gjatë një periudhe, vlera totale e blerjeve është më e madhe se vlera totale e furnizimeve të kryera, diferenca i shtohet totalit të blerjeve të muajit pasardhës. Këto janë vetëm disa prej ndryshimeve që priten në këtë ligj, por drafti është ende në punim dhe pritet të marrë formën ligjore vetëm pasi të kosnultohet me biznesin.