Jonida Danaj është vetëm një nga shumë rastet e suksesit që gjeti punë si inxhiniere ndërtimi gjatë Panairit të Punësimit 2014. E vendosur në kërkim të një vendi pune në profesionin e saj, nga sot ajo ka filluar punë si inxhiniere ndërtimi pranë kompanisë “Kassel shpk”, e cila në Panair punësoi edhe dy arkitektë, të dy djem të rinj të sapodiplomuar.
Një vend të ngjashëm me pozicionin e fituar nga Jonida e që paguhet sa një rrogë ministri a deputeti, ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj ia ofroi edhe militantes së PD-së që protestoi para pak ditësh, e cila pretendonte se ishte inxhiniere me shkollë të lartë, por çuditërisht rezultoi me gjimnaz shkollë nate.
“Kjo është një histori suksesi e dikujt që studion, kërkon e punon pa u lodhur e pa u dorëzuar”, shkruan Veliaj në Facebook. Përveç Jonidës, edhe Shela Berberi ka filluar sot punë në profesionin e saj, si inxhiniere teknologe, pranë kompanisë “Hako”, apo Gerilda Haderi, e cila u përzgjodh mes dhjetra aplikantëve si specialiste marketingu nga spitali privat “Hygeia”.