Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Edmond Panariti ka vizituar sot në Grabian të Lushnjes një investim të ri sipas skemës së partneritetit publik-privat që ka të bëjë me kultivimin e luleshtrydhes.
Duke vlerësuar këtë skemë sipërmarrje, ministri Panariti u shpreh se “kjo do të jetë një nga dallëndyshet e para të investimeve serioze në bujqësinë shqiptare, kur bëhet fjalë për një kulturë e cila është e provuar që është e suksesshme, veçanërisht e suksesshme në këtë zonë, ku ka një treg të garantuar dhe sfida jonë është krijimi i një zinxhiri vlerash, që fillojnë nga kultivimi, rritja zhvillimi i bimës, grumbullimi, paketimi, ambalazhimi dhe deri në destinacionin që është eksporti”.
Ndërkohë përveç investimeve që ne po bëjmë në perime dhe në frutikulturë, shtoi ministri, një nga prioritetet tona natyrisht është edhe investimet në fermat e mëdha të prodhimit të qumështit.
“Në këtë mënyrë ne do të bëjmë diversifikimin e prodhimit bujqësor dhe blegtoral, duke bërë të mundur përmirësimin e ndjeshëm të bilancit të importit dhe të eksporteve. Ju e dini tashmë që edhe për këtë periudhë dhjetë mujore kemi një hop të ndjeshëm në këtë drejtim. Ne e morëm mandatin qeverisës me një bilanc 1 me 8, aktualisht që flas para jush ky bilanc është 1 me 5.7, pra bëhet fjalë për një përmirësim të ndjeshëm”, deklaroi Panariti.
Ministri Panariti, premtoi se do të jetë sërish në rrethin e Lushnjes për të promovuar investime të tjera serioze, pasi potencialet e zhvillimit janë ende shumë të mëdha.