Rrëzimi i kryqit në zonën e ish-varreve greke në Tepelenë është bërë shkak, që deputeti neonazist Kristos Papas të kërkojë interpelancë me dy ministra të qeverisë greke. Papas ka kërkuar interpelancë me ministrin e Mbrojtjes dhe atë të Jashtëm për të kërkuar informacion rreth hapave diplomatike të qeverisë greke për zbardhjen e incidentit. Papas ka hedhur dyshime se qeveria greke hesht lidhur me incidentin, për shkak të tubacionit TAP, që do të kalojë mes dy vendeve. Në letrën drejtuar dy ministrave të qeverisë greke, deputeti i Agimit të Artë thotë: “Pas 99 vjetorit të autonomisë së Vorioepirit, shqiptarët treguan edhe një herë furinë e tyre ndaj Greqisë, duke shkatërruar me dinamit kryqin në zonën e varreve të ushtarëve grekë. Edhe sa kohë do lejohen shqiptarët të përdhosin të rënët e luftës?”.
Papas hedh dyshime se heshtja e qeverisë greke ndaj atij që ai e quan incident ka të bëjë me gazsjellësin TAP. “Mos janë zhvendosur çështjet kombëtare dhe ligjet që mbrojnë kujtimin e të rënëve të Vorioepirit nga projekti i tubacionit TAP që kalon nëpërmjet Greqisë dhe Turqisë?”, shkruan ai.
Ngjarja në fjalë ndodhi pak ditë më parë në fushën e Mezhgoranit, në Tepelenë, ku u gjet i hedhur përtokë kryqi i ish-varreve të ushtarëve grekë. Policia tha se nuk është përdorur dinamit dhe theksoi gjithashtu se rrëzimi i kryqit nuk është bërë për qëllime fetare, pasi në këtë fushë s’ka më varrezë të ushtarëve grekë.