“Kur përfundon një dashuri, mendon për kohën e kaluar bashkë, për shijen e buzëve, për njomështinë e tyre dhe ethet e ndjera. Kam qenë me fat që kam takuar Johnny Depp, pasi kam kaluar vite të mrekullueshme me të. Kemi qenë të lumtur dhe këtë nuk do ta harroj kurrë… Nëse mendoj për një bilanc të 40 viteve të para të jetës sime, nuk mund të bëj gjë tjetër veçse të përgëzoj veten. Kam marrë shumë nga jeta: sukses, dashuri dhe dy fëmijë të mrekullueshëm. Nuk kam pendesa apo keqardhje dhe nëse do të kthehesha mbrapa në kohë, do të ribëja çdo gjë nga e para”. Kështu shprehet këngëtarja franceze Vanessa Paradis në një intervistë për “Vanity Fair”, botuar më 17 korrik. Sa i takon motiveve të ndarjes me aktorin e famshëm është e kotë ta pyesësh e të hysh në detaje: “Ndarja jonë është trajtuar si të ishte një çështje shtetërore, por Johnny nuk ka qenë kurrë president, e as unë ndonjë zonjë e parë. Nuk e kuptoj pse duhet t’i shpjegoj botës se çfarë ndodhi midis nesh”./D.Gjuzi