Ish-kryeministri e burri i shtetit Fan Noli këto ditë e has nëpër blogje, ofenduar me fjalorin më të ulët. Komunist i ndyrë është ofendimi më i pakët për njeriun, që paradoksalisht vendosi dhe i la në mes marrëdhëniet me Bashkimin e Sovjetëve. Luigj Gurakuqi dhe Bajram Curri përmenden ashtu si nëpër dhëmbë, por pa i etiketuar drejtpërdrejt. Avni Rustemit, vetëm në momentet e fundit, nuk mundën t’ia marrin emrin nga një shesh në qendër të Tiranës. Për ironi, vrasësi i të gjithë këtyre syresh, mbreti i shkurorëzuar Ahmet Zogu, u glorifikua dhe pas më pak se 100 orësh u vlerësua edhe një nga armiqtë e tij, më të mëdhenj Hasan Prishtina. Çerçiz Topulli, Mihal Grameno, Bajo Topulli mbetën me statusin e ‘të dyshimtit’, pasi u panë si personazhe që ishin trajtuar mirë në epokën e Enverit. Në të gjithë këtë tollovi, znj. Jahjaga, presidentja e Kosovës në një nga fjalimet më pa takt të historisë së saj “pa histori”, iu shtua korit pro-Berisha, për figurën e mbretit, ardhur në fuqi me dorën e serbëve!!! Për Faik Konicën gojëthartë nuk u kujtua asnjeri; për të vëllain Mehmetin, diplomatin e shquar po ashtu; Rauf Ficon, as nuk e zenë më në gojë etj., axhenda e protokollit i harroi krejt, duke ngritur një numër tjetër personazhesh historie, për të cilët turpërohesh.
Online nga adresa: revistajava.al