Partia Demokratike ka formuar një skuadër prej 35 zyrtarësh, të cilët do të paraqesin në publik platformën e koalicionit të djathtë në zgjedhjet e 23 qershorit. Partia e kryeministrit Berisha ka kontraktuar disa ekspertë amerikanë, me të cilët u zhvillua një takim javën e kaluar. Në këtë takim është vendosur edhe se cilët do të jenë 35 emrat që do të përballen në debatet publike me përfaqësuesit e opozitës. Ky ekip përbëhet nga zyrtarë demokratë të katër niveleve, ministrat, deputetët, zv.ministrat si dhe këshilltarët e kryeministrit.
Sipas të përditshmes “Panorama”, kreu i qeverisë dhe i Partisë Demokratike ka vendosur që të gjithë ministrat të jenë të pranishëm në debatet televizive ku do të shpalosin edhe programin për secilën nga fushat që ata mbulojnë. Në mbledhjen e së martës kanë marrë pjesë gjashtë ministra, duke filluar nga ministri i Transporteve Sokol Olldashi, ministri i Brendshëm Flamur Noka, ministri i Mbrojtjes Arben Imami, ministri i Bujqësisë Genc Ruli, ministri i Kulturës Aldo Bumçi, ministrja e Integrimit Majlinda Bregu. Gjatë këtij takimi me ekspertët amerikanë është vendosur që edhe anëtarët e tjerë të kabinetit qeveritar të jenë pjesë e debateve televizive. Gjithashtu një peshë të rëndësishme të marrëdhënieve me publikun do ta mbajnë edhe deputetët demokratë, pjesë e Grupit Parlamentar. Do të jenë 13 deputetë, të cilët drejtohen nga kreu i Grupit të PD-së, Astrit Patozi, që do të përfaqësojnë selinë blu në debatet televizive me deputetët e PS-së. Grupit të nëntë deputetëve të publikuar pak ditë më parë nga gazeta i janë shtuar edhe Ilir Rusmali, Enkelejd Alibeaj, Viktor Gumi e Florjon Mima.