Gjëra të trishtueshme kanë ndodhur në këto vite të demokracisë sonë të brishtë me Partinë Demokratike. E lindur si një front i gjerë antikomunist me bosht qendror lëvizjen idealiste studentore të dhjetorit ‘90, tashmë të tradhëtuar prej kohësh, shpejt u kap nga një ish-komunist stalinist, i cili e shndërroi shpejt në një ndërmarje private. Me metoda të pastra puniste, falë militimit për afro një çerek shekulli në Partinë kriminale të Punës, me një grusht shërbëtorësh e përdori dhe e shpërdoroi partinë e idealeve demokratike, duke e vjetëruar me ritme të shpejta, madje duke ia zhdukur identitetin që mbante e mban në mbiemrin e saj. Dhe të gjithë tashmë e njohim kurbën e ecurisë së rezultateve elektorale të PD, pas zgjedhjeve të famshme e referendare të marsit ‘92. Do të mjaftonte për ilustrim fakti se, në zgjedhjet e fundit politike, për këtë parti kanë votuar rreth 20 për qind e zgjedhësve të regjistruar në vend. Ndërkohë të gjitha partitë e tjera së bashku kanë marrë rreth 10 për qind të votave.
Do të ishte përsëri e tepërt të zgjatesha, pasi edhe ngjarjet e shumta të ndodhura në PD, në relativisht pak kohë, e plakën me shpejtësi, zhgënjyen shumë antarë e simpatizantë që vazhdojnë ta braktisin vazhdimisht, duke u ndjerë me të drejtë të zhgënjyer e të tradhëtuar. Dhe me të drejtë, shumica e këtyre njerëzve me shpirt të vërtetë demokrat, anë e mbanë vendit, po përqafojnë idetë e FRD e po japin kontributin në këtë parti të re të rilindjes së shpresës së shqiptarëve. Me shpresën e rikthimit të demokracisë së vërtetë në Shqipëri dhe për realizimin e ëndrrës së dhjetorit ’90, të rinj e të reja, gra e burra, kudo po afrohen në këtë parti të re, jo vetëm nga mosha, por më tepër nga mentaliteti e fryma e re qytetare, programi dhe dokumentet e bëra publikë, etj. Kështu pra, siç po duket, koha i ka ridimensionuar termat politikë në Shqipëri. Evoluimi i tyre tashmë ka arritur te “lufta” ndërmjet së resë më të vjetrën. Mosha e re e kombit tonë, kapitali human më i madh e i çmuar i tij, është premisë dhe realitet i prekshëm e bindës për të parashikuar rezultatin e zgjedhjeve të radhës të 23 qershorit 2013. “Rezerva” e madhe elektorale (mëse 50 përqind e zgjedhësve nuk kanë marrë pjesë në votim), përbën “lëndën e mirë të parë” të alternativave të reja politike. Dhe sigurisht “përdorimi” i mirë dhe i kujdesshëm, duke filluar nga kthimi i besimit në kryerjen e detyrimit qytetar, pjesëmarrjen masive në votim, do të jetë padyshim starti i garës së suksesit. Koha do ta tregojë këtë…
Opinion i nënshkruar: Agim Zeka
O AGIM ZEKA 35 % E TE RREGJISTRUARWVE JANE NE EMIGRACON.