Partia Demokratike ka denoncuar rastin e kryetarit të komunës Otllak, Dalip Kanaçi, përfaqësues i Partisë Socialiste, në rrethin e Beratit, sepse sipas saj, rezulton debitor me 350 mijë lekë ndërsa në fakt faturat e tij janë jo më të më dha se 1100 lekë të vjetra. Deputetja e PD Jorida Tabaku ka bërë publike faturat e energjisë që sipas saj dëshmojnë se Kanaçi është debitor ndaj OSHEE në vlerën 350 mijë lekë.
“Jemi sot këtu për të denoncuar botën paralele, mes oligarkëve në pushtet dhe qytetarëve të pamundur, që po vuajnë nga faturat abuzive të energjisë, nga kamatëvonesat milionëshe mbi këto fatura, që po vuajnë nga errësira që ka shkaktuar qeveria. Qytetarët që nuk paguajnë dot energjinë, se nuk kanë mese të ushqehen, nuk kanë asnjë të ardhur ekonomike, janë me qirinj sot. Por qeveria nuk i trajton të gjithë njësoj.
Ja kemi këtu kryetarin socialist të Komunës Otllak. Eshtë debitor me 350 mijë lekë, energji që e ka shpenzuar por nuk e ka paguar. Një i ri u nda nga jeta dje në Mëzez në një përpjekje të dëshpëruar për të siguruar drita në shtëpi, për familjen e tij në gjendje të mjeruar ekonomike. Kjo familje nuk ka energji se është debitore. Por kryetari i komunës së Edi Rama edhe pse është debitor, ka energji, dhe ai nuk ka asnjë problem as me ligjin, as me OSHEE-në”, tha Tabaku.