Itali
Asnjë marrëveshje konkrete nuk u arrit në ditën e katërt të konsultimeve midis kryetarit të Pd-së, Bersani, dhe forcave të tjera politike për formimin e një qeverie të re. Ai nuk e ka pranuar propozimin e Berluskonit që sekretari i Pdl-së të jetë zëvendëskryeministër
Kryeministri i ngarkuar nga presidenti Napolitano, Pier Luixhi Bersani, ka afat deri të enjten për të formuar numrat e nevojshëm për qeverinë e re, në të kundërt do t’i duhet të heqë dorë nga mandati si kryeministër dhe mundësia e vetme mbetet ripërsëritja e zgjedhjeve të përgjithshme. Berluksoni është shprehur dakord që drejtimin e qeverisë ta marrë Berasni, por me kusht që zëvendës të jetë sekretari i partisë së tij, Anxhelino Alfano. Nga ana e tij, kryetari i Pd-së duket se nuk e ka pranuar propozimin e Berluskonit.
E marta ishte dita e katërt e konsultimeve e kryeministrit të mandatuar me forcat politike, edhe pse paraprakisht ai kishte refuzuar një ekzekutiv me Alfanon si zëvendëskryeministër. Në takimin e zhvilluar midis Bersanit dhe përfaqësuesit e Pdl-së dhe Lega Nord nuk ka munguar reagimi i Alfanos, që është shprehur se qendra e djathtë nuk do t’i japë asnjë mbështetje Bersanit nëse ai nuk e përfshin këtë forcë në qeveri.“Na duhet një qeveri e fortë për të përballuar krizën dhe rruga më e mirë është ajo e bashkëpunimit. Besojmë në një akt përgjegjësie dhe maturie nga ana e Bersanit. Qeveria e re? Ose Pdl-ja të përfshihet, ose asnjë mbështetje”, u shpreh Alfano.
Në të njëjtën linjë kanë qëndruar edhe aleatët e Lega Nord të pranishëm në takim. “Mbajmë të njëjtin pozicion si Pdl-ja, shpresojmë në një qeveri me një drejtim politik. Mjaft më me diskutimin për qeveritë teknike duhet një ekzekutiv për legjislaturën”, deklaroi Roberto Maroni i Legës.
“Pozicionet mbeten shumë të largëta dhe nëse do të mbeten kështu gjatë 48 orëve të ardhshme, ne theksojmë se e vetmja rrugë do të jetë ajo e zgjedhjeve të reja”, shtoi sekretari i Pdl-së në fund të takimit. Gjatë një mitingu të organizuar ditën e shtunë në Romë, Berluskoni deklaroi se përsëritja e zgjedhjet e përgjithshme janë një mundësi. Ndërkohë Bersani ka arritur të marrë mbështetjen e grupimit të Sel-it.
Të mërkurën Bersani mbyll konsultimet me aleatët e Sel-it dhe me Lëvizjen 5 Yjet e Bepe Grilos. Nuk dihet ende nëse Grilo do të jetë i pranishëm siç bëri javën e kaluar në takimin me Napolitanon. Ndërsa, të enjten Bersani duhet të ngjitet në Kolegjin e Lartë për të konfirmuar ose jo mundësinë e formimit të një qeverie të re duke pasur numrat e mjaftueshëm si për në Dhomën e Deputetëve dhe për në Senat.
Analistët shtrojnë pyetjen se sa e realizueshme mund të jetë ideja e një koalicioni mes dy forcave të mëdha politike dhe aktualisht kundërshtare me njëra-tjetrën? Bersani i është shmangur shpesh kësaj teme dhe deri më tani bashkëpunimi midis qendrës së majtë të udhëhequr nga Pd-ja dhe qendrës së djathtë të drejtuar nga Pdl-ja duket se është nxitur nga lideri i lëvizjes M5S, Bepe Grilo.
Aktualisht, kryeministri i mandatuar është duke shqyrtuar mundësinë për ndërtimin e një koalicioni “natyral” në linjën e tij politike, por nëse dështojnë këto bisedime, atëherë zgjidhjet mbeten dy: koalicion me Pdl-në ose sërish zgjedhje të përgjithshme.
Përgatiti: Dorina Gjuzi