Shtimi i infeksioneve gastrointensinale në radhët e fëmijëve të vegjël nuk vjen më prej mikrobeve, por prej shumëllojshmërisë së viruseve që janë në qarkullim. Konfirmimi u bë dje në tryezën e zhvilluar ndërmjet ekspertëve të pediatrisë vendas dhe të huaj, të cilët janë mbledhur për të diskutuar masat që duhen marrë në këtë drejtim. Muajt në vijim klasifikohen si më problematikët sa i takon çrregullimeve të tretjes që shfaqen tek fëmijët e vegjël.
Pediatrja infeksioniste në QSUT-së, Gjeorgjina Kuli, duke iu referuar trajtimeve të kryera në spitale vë në dukje se nga viti në vit këto lloj infeksionesh po shfaqen në rritje dhe nëse ato nuk parandalohen mund vihemi përballë situatave ekstreme të cilat rrezikojnë edhe jetën e fëmijëve. Kjo pasi qarkullimi i këtyre viruseve dhe dehidratimi janë shkaktarë që çojnë në ndërlikime të mëdha shëndetësore.
Një prej tyre që ndikon është edhe “rotavirusi” dhe për këtë virus është parashikuar që në kalendarin e vaksinimit të 2015-s të futet dhe vaksina mbrojtëse kundër tij. Ky virus ndihmon ngacmimet që shfaqen në aparatin tretës duke favorizuar diarrenë apo dhe komplikacione të tjera të kësaj natyre.
“Tashmë nuk janë më bakteret shkaku i infeksioneve gastrointestinale, por janë viruset. Vendosja e etimologjisë virale është e vështirë. Në vendin tonë kanë hyrë disa teste të shpejta. Kështu që ne kemi bërë një studim tek 171 fëmijë me çrregullime gastrointestinale në të cilën është vënë re se 28.8 % janë diarretë nga rotavirusi. E vetmja që e parandalon është vaksina”, ka deklaruar Kuli gjatë zhvillimit të kësaj konference.
Këto komplikacione që bëhen edhe më të dukshme gjatë kësaj stine, shoqërohen me të vjella e me diarre. Ndërkohë që të shumta janë edhe sëmundjet parazitare, të cilat shfaqen si rrjedhojë e një higjiene jo të mirë ambientale dhe personale, nga ushqimet e ndenjura, si dhe të pakontrolluara mirë nga ana e higjienës.
Bluzat e bardha vunë theksin në faktin se është e domosdoshme të kërkohet ndihma mjekësore menjëherë sapo shenjat e para të sëmundjes. Kjo pasi vetëm trajtimi i marrë në kohën e duhur parandalon në kohë komplikacionet. Sipas tyre, për sëmundjet gastrointensinale,krijimi i një higjiene sa më të mirë personale dhe ambientale është mënyra më e mirë për të parandaluar përhapjen e këtyre infeksioneve, të cilat kanë natyrë të fortë ngjitëse. Kujdes i veçantë duhet treguar me ujin që konsumojnë si dhe pastërtinë e ushqimeve, apo dhe formës së tyre të gatimit.
Të pranishëm në këtë aktivitetet ishin edhe drejtuesit e dikasterit të shëndetësisë, të cilët kanë udhëzuar mjekët me praktikat e reja të vaksinimit falas që do ndiqen për fëmijët e vegjël si dhe adoleshentët. Këto vaksina do të ofrohen falas nga mjekët e familjes apo dhe ata specialistë të shërbimit parësor edhe në rastet kur pacienti nuk është i pajisur me librezën shëndetësore.
Kjo risi është sanksionuar në kontratat e reja që janë nënshkruar me të gjithë drejtuesit e qendrave shëndetësore në vend. Gjatë zhvillimit të këtij aktiviteti, ministri i Shëndetësisë, Halim Kosova, e vuri theksin tek parimi që profilaksia dhe parandalimi i sëmundjeve është pikë shumë e rëndësishme për çdo sistem shëndetësor, kjo veçanërisht në drejtim të uljes së nivelit të sëmundshmërive të identifikuara tek moshat e vogla.
Vaksinimi, edhe në mungesë të librezës shëndetësore
Ndryshimet e bëra në kontratat e lidhura me poliklinikat në të gjitha rrethet e vendit përcaktojnë një sërë risish sa i takon shërbimeve që do të ofrohen për fëmijët apo adoleshentët. Fondi i Sigurimeve Shëndetësore ka nxjerrë kontratën me qendrat shëndetësore të kujdesit parësor dhe vendimin përkatës: “Për miratimin e strategjisë kombëtare për fëmijët”, duke siguruar që ndjekja e zhvillimit dhe kontrollet për mirërritjen e fëmijëve sipas protokolleve të miratuara nga personeli i qendrave shëndetësore dhe vaksinimi deri në moshën 15 vjeç të kryhen falas.
Kjo edhe në mungesë të librezës së shëndetit.
Në këto kushte mjekët e familjes janë të detyruar sipas protokolleve mjekësore që edhe në rastet kur adoleshentët nuk disponojnë librezën të kryejnë vaksinimin e tyre falas. Më tej kjo strategji përcakton se në rastet e nevojës së trajtimit ambulator me barna për patologji të caktuara, kjo kategori do të përfitojë nga barnat e listës së rimbursuar kundrejt recetës me rimbursim të lëshuar nga mjeku i familjes dhe librezës së shëndetit.
Fëmijët nga 0-1 vjeç përfitojnë barnat në masën 100 për qind, ndërsa të tjerët, sipas statusit të të siguruarit që gëzojnë dhe akteve përkatëse që lëshon Instituti i Sigurimeve dhe Kujdesit Shëndetësor, i cili tashmë është shndërruar në Fond Kombëtar të Sigurimeve.
Këto risi u bënë publike në konferencën e 14 të pediatrisë që u zhvillua dje paradite. Ekspertë të fushës trajtuan shumë tema në lidhje me sëmundjet e fëmijëve, si dhe rrugët e parandalimit e trajtimit të tyre. Presidentja e shoqatës së pediatrisë, Anila Godo, deklaroi se unifikimi i protokolleve shëndetësore dhe shkëmbimi i eksperiencave mes mjekëve pediatër shqiptarë dhe atyre të huaj cilësohet si prioritet në rrugën e përmirësimit të shërbimeve mjekësore. Punimet e konferencës ndërkombëtare të pediatrisë u ndoqën nga specialistë të shëndetësisë nga Kosova , Maqedonia, Franca e Italia.