Xhevdet Shehu
Libri i sapo botuar i Piro Milkanit nën titullin e thjeshtë “E pabesueshme, por e vërtetë” (Botimet Toena, 2018) mendoj se është një ngjarje për kulturën shqiptare, si për materialin letrar krejt të veçantë, ashtu dhe për autorin, një emër mjaft i njohur i kinematografisë shqiptare. Është ky libër një prurje befasuese në përroin e çmendur të botimeve shqiptare. Vlerësimet pozitive të deritashme që i janë bërë këtij libri janë tërësisht të merituara. Është një libër jashtë skemave të djeshme dhe të sotme, një libër që më shumë se të bën të qeshësh, të vë në mendime. Është kuintesenca e një jete të pasur, me një reliev të papërsëritshëm ku përveç fatit dhe episodeve autentike të autorit, nënkuptohet dhe shpaloset historia e një shoqërie të tërë. Mendoj se autori ka qenë plotësisht i ndërgjegjshëm dhe i përgjegjshëm kur e ka kompozuar këtë vepër. Është një peng, ose një sërë pengjesh që e kanë munduar prej kohësh Piron. Dhe ja, erdhi koha që ai të rrëfehet…
Por unë që e njoh Piron nga afër, kam mendimet e mia, me ndonjë rezervë apo sugjerim, të cilat do t’i hedh në këtë shkrim.
Përkundër një pohimi të shprehur në ditën e promovimit të tij se ky libër të bën të qeshësh me të madhe, unë kam një mendim të përkundërt: herë-herë mund të vësh buzën në gaz gjatë leximit, falë humorit brilant të Piros që e sheh dhe e bën humorin edhe atje ku nuk duket nga një sy i rëndomtë, por më së shumti ky libër të bën të trishtohesh dhe të vihesh në mendime. Po. E lexon me një frymë. Kjo është plotësisht e vërtetë. Sepse Piroja ka stil në rrëfimin e tij, ka klas dhe shije. Por kur e “ripërtyp”, e kthen dhe e rikthen në mendje, thua se në ç’absurd kemi jetuar. Admiron sakrificat, përulesh me nderim para atyre që kanë bërë historinë. Të artit në këtë rast, që është në sinkron të plotë me historinë tonë si komb.
Por unë, dhe besoj dhe lexuesit e vëmendshëm, nuk mund të qeshin me tregimin e gjallë “Këpucët e studentit”. Ky është një tregim i denjë për një film tronditës që mund të konkurrojë denjësisht në Hollivud. Piroja ka dhënë vetëm një skicë-ide të një filmi të mundshëm. E ç’ka më shumë romani “Shakaja” i Milan Kunderës, një shkrimtari të famshëm çek? Në thelbin e të dy tregimeve është e njëjta fabul. Njëra më tronditëse se tjetra. Fati i njerëzve nën regjimet diktatoriale. Pak faqet e tregimit të Piro Milkanit e japin të plotë tablonë, mbi të cilën Kundera ka bërë një roman tashmë të famshëm. Për më tepër, si krijimi i Piros tonë dhe Kunderës çek, kanë të njëjtin sfond: Çekinë. Kam një lloj bindjeje se po t’i futet Piroja mund ta kthejë këtë tregim në një vepër madhore. Elementët nuk i mungojnë…
Piro Milkani është një artist i madh. Si një ndër regjisorët më të shquar këtë talent të tijin e ka dëshmuar në filmat e shumtë të tij. Ai jo më kot e ka merituar para shumë kohësh titullin e madh “Artist i Popullit”, një titull prestigjioz që në atë kohë e merrnin vetëm ata që e meritonin.
Piroja është dhe një përkthyes i shkëlqyer. Nga çekishtja, doemos, të cilën ai e njeh si shqipen. Ka përkthyer kujtimet Milosh Formanit “Nga Çaslavi në Hollivud”, regjisorit të madh çek që bëri famë në kryeqytetin botëror të kinematografisë, ka përkthyer romanin e Bohumil Hrabalit “I kam shërbyer mbretit të Anglisë” e sa e sa vepra të tjera të shquara.
Po, Piroja ka stofin e shkrimtarit. Duke lexuar këtë libër bindesh se, nëse ai nuk do të kishte bërë zgjedhjen e kinoregjisorit, do të ishte bërë një shkrimtar po aq i shquar si artist i fjalës së shkruar.
Mjaftojnë disa faqe të shkruara të Piros për ta provuar këtë. Ky libër i vonuar, që botohet në 80-vjetorin e lindjes së autorit është pasaporta e një shkrimtari, përveç aftësive të tij si kineast i klasit të parë, si regjisor i dhjetëra filmash artistikë dhe dokumentarë, si aktor dhe si përkthyes. Ndërkohë që lexoja librin pjesë-pjesë, i thosha Piros me shaka: Kam shumë vërejtje… Do t’i shkruaj në gazetë…
Dhe unë vërtet kam vërejtje. Piro Milkani e ka provokuar lexuesin me këtë libër. Ky është një libër shumë i mirë, por jo i plotë. Këtij libri do t’i shkonte më mirë të titullohej “Tregimet e Pragës”. Është rinia e Piros aty, ngjizja e një artisti të ardhshëm që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e kulturës sonë kombëtare. Kinematografia jonë është si të thuash bashkëmoshatare me Piron. Ai është ndër të parët kinoregjisorë dhe artistë të vendit që plazmuan në celuloid historinë tonë, rritjen tonë drejt një hopi gjigant që është bërë gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX.
A nuk duhen rrëfyer këto ngjarje? A nuk duhet dëshmuar kjo ngjitje e jashtëzakonshme?
Na e ka borxh Piroja këtë dëshmi! Çlirohu nga pengjet Piro dhe do të ndihesh sa i lehtësuar aq edhe i uruar!
Në këtë libër prej 170 faqesh shfaqet një dashuri, një nostalgji përvëluese për Pragën ku ai u shkollua dhe u formua si artist. Mirëpo sado e zjarrtë të jetë dashuria e autorit për Pragën, kjo është e pamjaftueshme për lexuesin. Është një pjesëz e jetës së tij. Pasi kam lexuar kujtimet e Milosh Formanit të përkthyer nga Piroja, them se ky libër i sapobotuar nga Milkani është një miniaturë e një libri madhështor që ai mund të na i dhurojë së shpejti. Detyrimisht dhe pashmangshmërisht. Jeta e tij është mjaft e pasur, është një diagramë e zhvillimeve dhe e rritjes së Shqipërisë, e kulturimit të këtij populli, ku kinematografia ka luajtur një rol të jashtëzakonshëm. Piro Milkani është një hero i emancipimit të madh që ka ndodhur në këtë vend. Na i ka borxh të na i tregojë të gjitha, fije për fije. Këto tregimet e Pragës, padyshim që do të përfshihen në një libër të madh të Piros që unë mendoj se ai është duke punuar… Për të shkruar një libër të tillë ai nuk besoj se ka nevojë për modele, fjala vjen si libri i Formanit. Me atë thjeshtësinë e tij të natyrshme, me atë jetë të pasur që ka si artist dhe si njeri, Piroja është në gjendje të na japë një vepër krejt të veçantë, të pangjashme me askënd.
Do ta torturojmë Piron deri sa të na zbërthehet deri në fund. Në ndonjë rast fatkeq ai mund të ishte zbërthyer në ndonjë zyrë hetuesie. Madje në zyrat e hetuesisë mund të sajonte gjëra të paqena për të shpëtuar kokën. Mirëpo, nëse u shpëtoi zyrave të hetuesisë, kjo nuk do të thotë se i ka shpëtuar gjithçkaje, fjala vjen një “llogaridhënieje” para lexuesve, spektatorëve dhe simpatizuesve të tij. Kjo llogaridhënie nuk mund të sanksionohet me ligj të posaçëm, por ai ka detyrë ta bëjë këtë. Ne nuk po e torturojmë Piron. Po i themi vetëm kaq: Shkruaj! Shkruaj sa më shumë, Piro! Është fati i krijuesve të shquar ky. Pra, të “torturohen” deri në fund…
Nuk është e kollajtë Piro të jesh njeri i famshëm. E zgjodhe këtë fat, u bëre i tillë, merri parasysh edhe pasojat. Ke për të vuajtur deri në fund! Jo më kot na e ke treguar atë historinë e Marko Polos në mbyllje të librit duke na shtuar kureshtjen. Marko Poloja tha: “Nuk kam treguar as gjysmën e atyre që kam parë me sytë e mi”. Kurse ti, Piro, me gojën dhe dorën tënde dëshmon: “nuk ju kam treguar as çerekun e atyre që kam përjetuar në këta dy shekuj…” Kjo është një dëshmi që as nuk mund të injorohet, as nuk mund të anashkalohet. Ajo duhet vlerësuar si një premtim që i bën lexuesit se do të na befasosh ndonjë ditë me tri të katërtat e historive të tua të mrekullueshme. Po i presim!
Ky fragment që po botojmë është një nga tregimet e këtij libri. Natyrisht që nuk të bën të qeshësh. Madje është një histori tragjike e denjë për një film artistik. Lexojeni dhe do të bindeni, pavarësisht se këtu vetëm sa skicohet ideja e një skenari të ardhshëm.
KEPUCËT E STUDENTIT
Piro Milkani
Kështu e titullon filmin e tij dokumentaristi çek Pavel Shtingl. Kur erdhi për herë të parë në Shqipëri me grupin e televizionit çek Paveli do të realizonte një dokumentar për atë se ç’po ndodhte në Shqipëri në zgjedhjet e para pluraliste të marsit 1991. Udhëtuam së bashku në gjithë Shqipërinë prej nga doli dokumentari “Lotët e Shqipërisë fitimtare”. Dhe falë këtij filmi pata rastin ta takoj pas shumë vitesh mikun tim Nuri Sallaku.
…Kur në vitin 1957 erdhi në Pragë për të studiuar mjekësi mësova se në një pulle postare të viteve dyzetë ku shihej një batalion partizanësh që ecnin në dëborë ai partizani i vogël, që ishte paksa i përkulur ishte vetë Nuri Sallaku. Pra Nuriu ishte mjaft më i madh në moshe se ne të tjerët. Shumë shpejt mësoi gjuhen çeke dhe në mbledhjet studentore nuk ndodhte që të mos diskutonte plot pathos. Po shijonte së tepërmi jetën studentore dhe kishte admirim të veçantë për çekët e mençur dhe punëtorë. Ato katër vite të studimeve e ndryshuan tërësisht mentalitetin e tij. Si gjithë të tjerët edhe Nuriu u kthye për “pushime” në Shqipëri në korrik të vitit 1961. Sigurisht që u dëshpërua pa masë kur i thanë se nuk do të kthehej më për të mbaruar studimet.
Ishte një mbasdite fund dhjetori në vitin 1963 kur u ndeshëm në rrugën e Barrikadave. Nuk e zgjati fare po filloi të më thotë:
– Piro, pas disa ditësh janë Krishtlidjet. A të kujtohet se ç’ndodhte në Pragë në festa të tilla?… Po këtu? Asgjë… punë e shkretim, çdo gjë me duket gri.. O zot sa ndryshim.
– Harroje Nuri! Më mirë për ty e për të gjithë ne.
Po ishte e kotë. Atij nuk i mbushej mendja. Këtë trishtim ia shtone më shumë dhe mungesa e Vlastës, dashurisë së tij të vetme. Ishin ndarë në stacionin e trenit në Pragë me premtimin se pas dy muajsh do të shiheshin përsëri. Dhe ja tani, asnjë lajm, asnjë sinjal. Duket se edhe letrat që shkruheshin nuk shkonin fare.
Një ditë vjeshtë të vitit 1964 mësuam me dëshpërim lajmin se doktor Nuriu në tentativë për t’u arratisur nga Qafë Thana ishte arrestuar e më pas dënuar me 10 vjet burg bashkë me grupin e tij. Nga burgu na vinin lajme të vakëta për fatin e atyre që dikur ishin shokët tanë të mirë. Na tregonin se Nuriu nuk bënte punë të rënda fizike por ishte si të thuash mjeku i burgut të Burrelit. Kur shpresonim ta takonim përsëri vinte një lajm i zi. Në prag të lirimit në komandën e burgut lindte pyetja: A kemi mjek tjetër? … Jo! Atëherë thurej një gjyq i ri dhe problemi zgjidhej. Nuriu dënohej me dhjetë vjet të tjera. Kështu i kaloi në burg me shumë se 20 vjet partizani i vogël Nuri Sallaku.
Në prill të vitit1991, plot pas tridhjetë vitesh, vendosa të kthehesha së bashku me gruan time në qytetin ku kisha studiuar, në Pragë. Një natë para nisjes u shfaq në shtëpinë time Nuriu. Pasi na uroi rrugë të mbarë më dha një porosi:
– Do të lutem të shkosh e të takosh Vlastën dhe burrin e saj. I thuaj se biletën e avionit që ata e kanë prerë për mua e kam por nuk mund të udhëtoj… Kam frikë se duke hipur në shkallët e avionit do të kthehem me vrap pas. Nuk mundem! Bota për mua ka ndryshuar shumë. Këtu ke adresën dhe telefonin e saj.
Disa ditë pas mbërritjes tonë i erdhi radha vizitës te Vlasta. E kishim mësuar më parë se burri i saj ishte një violoncelist i njohur dhe profesor në Konservatorin e Pragës. Na pritën plot dashuri dhe dëgjuan ato që thamë për Nuriun. Profesor Lajda habitej se tepërmi:
– Po pse të mos vijë? Pas atyre që kemi mësuar për të ne duam shumë që ta takojmë dhe të kalojmë disa kohë së bashku. Ai është si vëlla për mua.
Pasi biseduam së bashku u ndamë në dysh. Gruaja ime bisedonte me Lajdën për muzikën ndërsa unë dëgjoja ato që më tregonte Vlasta…
– Kur Nuriu nuk u kthye më u dëshpërova shumë, për më tepër nuk e kuptoja pse nuk u përgjigjej letrave të mija. E dija se Shqipëria qe mbyllur nga bota por doja të dija se si ishte. Pas dy vjetësh mësova se në Varshavë ishte kthyer nga Shqipëria një grua polake e divorcuar nga burri i saj shqiptar. I hipa trenit dhe shkova në Varshavë. E gjeta dhe e pyeta për Nuriun. Nuk dinte asgjë. Sa më shumë kohë kalonte aq më i madh dëshpërimi. Rashë në depresion të thellë dhe u shtrova në spital për kurim. Mbaj mend se shikoja ëndrra të tmerrshme. Një herë mu duk sikur isha e mbyllur ne një cilindër xhami ndërsa jashtë cilindrit qen të tërbuar përpiqeshin të më kafshonin.
O Zot! Më ndihmo. Po si ka mundësi kur ajo nuk e di që Nuriu pasi kaloi klonin e parë (gardhi lartë i telave me gjemba) filloi të gëzohej. Ata nuk e dinin se ato tela dërgonin sinjale në postën kufitare, se pas tyre kishte dhe një klon të dytë. Pas sinjalit rojet kufitare u vërsulen drejt tyre bashkë me qentë e kufirit të cilët filluan t’i kafshonin. A ekziston vërtet telepatia? Nuk e di po besoni se nuk po trilloj. U shtanga ndërkohë që Vlasta vazhdonte tregimin e saj:
– E prita njëzet vjet dhe humba çdo shpresë. Një ditë u njoha me Lajdën. Para disa vitesh i kishte vdekur gruaja. Dhe ja ku jam. Jetojmë bashkë dhe përpiqem të rris fëmijët e tij sikur të ishin të mijtë. Pastaj erdhi viti i bekuar 89-të, viti i revolucionit të kadifejtë. Pas pushtimit të Çekosllovakisë ne 68-n me mijëra çekë e sllovakë u arratisën nëpër botë. Kur më në fund fitoi demokracia shumë prej tyre u kthyen përsëri. Një mëngjes m’u shfaq në punë një shoku im i viteve studentore. Kishim 22 vjet pa u parë, ai në Suedi e unë këtu dhe folëm e folëm pa pushim. Dhe erdhi momenti të pyeste edhe për Nuriun. Tunda vetëm kokën dhe e kuptoi. Pikërisht në këtë çast vjen një vajzë e re dhe më njofton se më kërkojnë në telefon. I thashë shokut të priste dhe shkova. Kur u ktheva ai i trembur më pyeti se çfarë ka ndodhur. Isha zbehur e tëra në fytyrë. Nuriu, i thashë. Nuriu është gjallë. Në fshatin e dajës tim ka mbërritur një letër e gjatë nga Nuriu. Kemi shkuar disa herë atëherë në fshat bashke me Nuriun dhe duket se ai nuk e ka harruar as emrin e dajës e as adresën. Letra e gjatë e Nuriut më bëri të kuptoj gjithçka. Prandaj, ju lutem, i thoni të vijë sa më parë. E presim me shumë dashuri.
Pas disa kohësh Nuriu u bind dhe shkoi në Pragë. I dhanë të drejtën të punonte si mjek ordinator në një spital të Pragës. Nga Shqipëria mori me vete një palë këpucë të reja. Ishin me copë bojëqielli dhe gomë të bardhë. Tridhjetë vjet më parë ia kishte blerë dhuratë Vlasta. Në Shqipëri i ruajti si relike. Në Pragë i vishte vetëm kur vizitonte pacientët në pavijone dhe i linte po në spital për t’i veshur ditën e nesërme.
Fati e solli të shkoja dhe unë në Prage si Ambasador i Shqipërisë në vitin 1998. Nuriu ishte martuar me një grua të divorcuar që kishte një vajzë. Ai e deshi atë si vajzën e tij. Qëllonte të takoheshim edhe në koncertet e Lajdës. Nuriu dhe unë me gratë dhe një rresht para nesh Vlasta.
Ja kjo histori e tërhoqi Pavel Shtinglin që të realizonte dokumentarin me titull “ Kepucët e studentit”.
Vitet e burgut lanë vraga të thella në shpirtin e Nuriut. Sa herë që e takoja e ndjeja se thellë në shpirt kishte një dëshpërim të madh. Asgjë nuk mund të kompensonte vitet e rënda të burgut dhe poshtërimit njerëzor. Dhe ndodhi ajo që s’pritej, Një mbasdite të vitit 2008 u pa të fluturonte nga ballkoni i katit të pestë një burrë me një pardesy të bardhë. Kish vendosur t’i jepte fund jetës.
Ishte Nuri Sallaku.
Midis njerëzve në kortezhin e përmortshëm ishte dhe ai, Pavel Shtingli. Kishte vdekur heroi filmit të tij.
Piro Melkani me plot te drejte esht nga personat qe meritojne te quhen krenarija e atdheut i uroj shendet e jete plote suksese te reja dhe mbarest Sabo Filadelfia U.S.A
Urime PIRO MILKANI, gjithenje ka shprehur kulture dhe ke ditur te sjellish edhe kulturen çeke aq sa ke mundur.
Por, Shqiperia, perseri po lengon nga keto bastardet e politikes shqiptare duke filluar nga SALI BERISHA, FATOS NANO, LULEZIM BASHA dhe ky barboni i fundit, aktuali EDI RAMA.
Keto jane pengesa qe Shqiperia nuk hecen perpara, sepse na jane bere keto plehra barrikade dhe mure ndares me vendet, shtetet dhe popujt e zhvilluar te Evropes.