Seksioni Kundër Korrupsionit në drejtorinë e Policisë Elbasan, bëri dje me dije se filloi çështje penale në gjendje të lirë ndaj zyrtarit të dyshuar me inicialet H. Ç., 57 vjeç, me detyrë përgjegjës i Zyrës Kadastrale Peqin. “Duke qenë me detyrë përgjegjës i Zyrës Kadastrale Peqin, dyshohet se ka falsifikuar dokumentet e pronësisë së tokës të shtetasit A. D., banues po në Peqin, ku ka sjelle si pasojë tjetërsimin e pronave të tij”, thuhet në komunikatën zyrtare të policisë vendore. Mësohet gjithashtu se denoncimi është bërë nga i dëmtuari që ka ngritur pretendimin se zotëron të gjitha dokumentet origjinale se sipërfaqja e tokës që i është marrë i takon atij. Por pas kryerjes së procedurave paraprake, policia i ka kaluar dosjen për veprime të mëtejshme prokurorisë vendore, për veprat penale “falsifikim dokumentesh” dhe “shpërdorim detyre”. Po dje u morën nën akuzë edhe dy persona nga policia e Peqinit për ndërtim pa leje në fshatin Lolaj të komunës Përparim.